Programi i KEDS për ngritje profesionale të studentëve merr përkrahje nga Universiteti i Prishtinës

05 Nëntor 2021
SHARE

Për të nëntin vit me radhë KEDS dhe Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi, që iu hap rrugë studentëve të UP-së për t’u bërë pjesë e programit të KEDS Academy.

Sikurse viteve paraprake, edhe këtë vit, studentët e fakulteteve të ndryshme të Universitetit të Prishtinës do të mund të bëhen pjesë e një prej programeve më prestigjioze në vend. Një mundësi për ngritje profesionale, ku pas përfundimit të programit, studentët e suksesshëm do të kenë mundësi edhe punësimi në KEDS.

Rektori i Universitetit të Prishtinës, prof. dr. Naser Sahiti, i cili nënshkroi këtë marrëveshje, shprehu mirënjohjen e tij për këtë mundësi që po i ofrohet studentëve tash e nëntë vjet, duke theksuar se një program i tillë po përgatit studentët bindshëm për të ardhmen.

“KEDS është duke bërë një punë të shkëlqyer përmes programit KEDS Academy. Përgatitja e studentëve tanë me njohuritë praktike, krahas atyre teorike që veç i marrin gjatë studimeve, sigurisht që kontribuon në përgatitjen profesionale të tyre, duke i bërë të gatshëm për tregun e punës. Dhe kjo, padyshim që ka dhënë rezultate mjaft inkurajuese përgjatë këtyre nëntë viteve të bashkëpunimit”, tha Sahiti.

Ndërkaq, drejtoresha për Cilësi, Siguri & Trajnime e KEDS, Valbona Kadrijaj, potencoi se KEDS është mjaft i kënaqur me përgatitjen e studentëve të UP-së, që padyshim e pasqyron punën dhe angazhimin e lartë të stafit akademik të Universitetit të Prishtinës.

“Bashkëpunimi ynë me UP-në përgjatë këtyre viteve ka qenë çdoherë në nivel. Në anën tjetër, për çdo vit, shohim se ka rritje të interesimit nga studentët e UP-së për t’u bërë pjesë e programit tonë. Ky bashkëpunim po mundëson që ne të përzgjedhim studentët më të mirë, duke i përgatitur ata profesionalisht për tregun e punës”, theksoi ajo.

Deri më tani në KEDS Academy kanë diplomuar më shumë se 400 studentë dhe nxënës dhe një numër i konsiderueshëm i tyre punojnë në KEDS, përderisa programi po ashtu ka ndihmuar studentët në avancime të mëtejme brenda dhe jashtë vendit.