UP-ja nënshkruan memorandum bashkëpunimi me Universitetin e Arteve të Tiranës

05 Nëntor 2021
SHARE

Në rektoratin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, rektori, prof. dr. Naser Sahiti dhe rektori i Universitetit të Arteve të Tiranës (UART), prof. Kastriot Çaushi, nënshkruan marrëveshje të bashkëpunimit.

Marrëveshja e nënshkruar sot ndërmjet UP-së dhe UART-it synon që në Republikën e Shqipërisë dhe Republikën e Kosovës të nxiten dhe të zhvillohen më tej arti dhe shkenca; të formohen specialistë të lartë dhe të përgatiten artistë dhe shkencëtarë të rinj në përputhje me prioritetet e zhvillimit të vendeve; të ofrohen mundësi të barabarta për të përfituar nga arsimi i lartë dhe të mësuarit gjatë gjithë jetës; të integrohet mësimdhënia me kërkimin shkencor; si dhe të nxitet bashkëpunimi dhe ndërkombëtarizimi në fushën e arsimit të lartë.



Nisjen e bashkëpunimit e përshëndeti rektori Sahiti, i cili njëherësh i uroi mirëseardhje në UP delegacionit nga UART-i. “Është kënaqësi e jona të bashkëpunojmë me ju dhe së bashku të shikojmë mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit kombëtar dhe të krijojmë kështu një bazë të qëndrueshme të partneritetit,” tha rektori Sahiti.

Edhe rektori Çaushi u shpreh i lumtur për zyrtarizimin e bashkëpunimit të universitetit të tyre me UP-në.  Ai theksoi se të dyja universitetet edhe më parë kanë bashkëpunuar në realizimin e projekteve konkrete, por ky memorandum i ri i bashkëpunimit u jep edhe më shumë jetë synimeve të përbashkëta.

Ky memorandum bashkëpunimi, i lidhur ndërmjet Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina" dhe Universitetit të Arteve të Tiranës, parasheh, ndër të tjerash, organizim të aktiviteteve të përbashkëta artistike, debate, konferenca, shkëmbim të studentëve dhe stafit, si dhe bashkëpunim në hartimin dhe aplikimin në projekte kombëtare e ndërkombëtare.