Rektori Sahiti takon studentët e rinj në ditën e parë të vitit të ri akademik 2021/22

15 Tetor 2021
SHARE

“Ju jeni UP. Ju tashmë jeni suksesi!”. Me këto fjalë, rektori, prof. dr. Naser Sahiti, ka uruar studentët për fillimin e vitit të ri akademik. I shoqëruar nga prorektorët dhe dekanët e fakulteteve, rektori ka vizituar njësitë akademike, ku ka takuar studentë, të cilët në këtë vit akademik i janë bashkuar Universitetit të Prishtinës.

Rektori u shpreh i lumtur që po i takon studentët në hapësirat e kampusit universitar, teksa i inkurajoi ata që të nxjerrin më të mirën nga përvojat që i presin gjatë rrugëtimit të tyre në UP.

“Përvojat që ju presin do t’ju zhvillojnë në aspektin personal dhe akademik, andaj unë ju inkurajoj që të nxirrni më të mirën nga to. Mësimdhënësit dhe stafi administrativ janë këtu që t’ju ndihmojnë në rrugëtimin tuaj,” tha ndër të tjerash rektori.

Studentët, në nisjen e rrugëtimit të tyre në UP, u përgëzuan edhe nga dekanët e fakulteteve, ku ata filluan sot studimet. Të pranishëm në këto takime mirëseardhjeje për studentët ishin edhe profesorët e departamenteve përkatëse.

Sot në UP nisen studimet themelore rreth 5 mijë studentë të rinj, ndërkaq viti akademik ka filluar edhe për studentët e viteve të tjera studimore, në nivelet baçelor dhe master, në të gjitha njësitë akademike të UP-së.