Ne Ditët e Erasmus+ diskutohet për projektet për zhvillim të kapaciteteve të UP-së

14 Tetor 2021
SHARE

Koordinatorët e projekteve për ngritje të kapaciteteve, në kuadër të Erasmus+, janë takuar sot për të diskutuar rreth projekteve, në të cilët Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” është partner apo bartës.

Kjo ngjarje e iniciuar nga prorektorja për bashkëpunim ndërkombëtar në UP, prof. asoc. dr. Albulena Blakaj, është organizuar në kuadër të Ditëve të Erasmus+, të cilat po shënohen në të gjitha universitetet evropiane, të cilat janë pjesë të këtij programi të Bashkimit Evropian.

Prorektorja Blakaj bëri hapjen e këtij aktiviteti, duke falënderuar profesorët për praninë e tyre si dhe për punën që janë duke e bërë në implementimin e këtyre projekteve, të cilat po aq sa janë novatore, po i shërbejnë edhe avancimit të UP-së në cilësi, kërkim shkencor dhe në ndërkombëtarizim. Prorektorja Blakaj inkurajoi profesorët që, në realizimin sa më të mirë të projekteve, të bashkëpunojnë me të gjitha instancat e UP-së, ndërkaq theksoi gatishmërinë e menaxhmentit për të përkrahur nga afër implementimin e këtyre projekteve.

Prezantimin e projektit “QATEK - Towards a quality oriented system of initial teacher education to increase teacher professionalism in Kosovo”, grantmbajtës i të cilit është Universiteti i Prishtinës, e bëri prodekanja për studime të doktoratës dhe sigurim të cilësisë, prof. ass. dr. Majlinda Zhitija – Gjelaj. Ajo foli për rëndësinë e këtij projekti për sistemin e mësimdhënies në Kosovë dhe fazën aktuale të implementimit të tij.

Ndërkaq, prorektorja për mësimdhënie dhe cilësi, prof. asoc. dr. Mimoza Ibrani, bëri një përmbledhje të të arriturave të projektit diMTV, i cili është në fazën finale të implementimit të tij. Sipas saj, nga realizimi i projektit kanë përfituar shumë studentët dhe stafi i Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike.

Në vijim të këtij takimi janë prezantuar edhe projektet IDEA - Inclusive tertiary EDucation in the West BAlkanS nga prof. Naser Zabeli, si dhe ResearchCULT - Enhancing Research Culture in Higher Education in Kosova, nga koordinatori i tij, prof. Avni Hajdari. Profesorët folën për sfidat në implementimin e projekteve dhe rëndësinë e tyre për Universitetin e Prishtinës.

Aktivitetet e organizuara në kuadër të Ditëve të Erasmus+ do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim. Aktualisht, përmes programit Erasmus+, mbi 100 studentë janë pjesë e shkëmbimeve akademike në universitete evropiane, një numër i madh i stafit akademik dhe administrativ kanë përfituar nga shkëmbimet akademike dhe profesionale, ndërkaq, një numër i madh i projekteve janë në proces të implementimit nga UP-ja, në bashkëpunim me universitete partnere nga Evropa.