Rektori Sahiti dhe ambasadori i OSBE-së në Kosovë, z. Davenport, diskutojnë për thellim të bashkëpunimit

12 Tetor 2021
SHARE

Në rektoratin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, rektori, prof. dr. Naser Sahiti, ka pritur sot në takim shefin e misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadorin Michael Davenport.

Të pranishëm në këtë takim ishin edhe prorektorët e UP-së, si dhe z. Josip Ivanoviq, këshilltar i lartë për komunitete në OSBE.

Rektori Sahiti e informoi ambasadorin për projektet, të cilat Universiteti i Prishtinës aktualisht është duke i trajtuar me prioritet në fusha të ndryshme, siç janë ngritja e cilësisë, ndërkombëtarizimi, kërkimi shkencor e mësimdhënia. Rektori theksoi që UP-ja është i hapur për bashkëpunim me universitete të ndryshme nga rajoni, në mënyrë që, si institucion prijës i arsimit të lartë, të kontribuojë në marrëdhëniet e përgjithshme të vendit me shtetet e rajonit.

Për fushat kryesore, në të cilat misioni i OSBE-së është i fokusuar foli ambasadori Davenport. Ai e falënderoi rektorin Sahiti dhe stafin e UP-së për gatishmërinë që të implementojnë programin studimor të Ballkanistikës në Fakultetin e Filologjisë në UP dhe theksoi edhe njëherë mbështetjen e OSBE-së në realizimin e këtij programi për studimet themelore.

Të dyja palët u dakorduan që të identifikojnë fusha dhe projekte të tjera, në të cilat mund të punojnë së bashku, në mënyrë që t’u shërbejnë studentëve dhe komunitetit në përgjithësi.