Me ftesën e studentëve të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka vizituar sot Fakultetin Filozofik të UP-së, me ç’rast u takua me studentë të këtij fakulteti.
Të pranishëm në këtë takim ishin edhe rektori i UP-së, prof. dr. Naser Sahiti, ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, z. Qemal Minxhozi, dhe dekani i Fakultetit Filozofik, prof. dr. Dashamir Bërxulli.
Kryeministrit Rama mirëseardhje në Universitetin e Prishtinës i uroi kryetari i Organizatës Studentore “Reforma”, studenti Oktaj Hasani. Ai e falënderoi kryeministrin që i është përgjigjur pozitivisht ftesës së studentëve për ta vizituar UP-në, teksa shtoi që prania e tij është mundësi e artë për studentët, në mënyrë që, së bashku, të diskutojnë rreth temave që i preokupojnë ata.
Në anën tjetër, kryeministri Rama u shpreh i lumtur që gjendet në mesin e studentëve, teksa theksoi që ka një respekt të veçantë për studentët që guxojnë dhe për të rinjtë që nuk refuzojnë sfidën për t’u përfshirë në politikë.
Studentët e pranishëm diskutuan me kryeministrin rreth zhvillimeve politike në Kosovë dhe Shqipëri, raportet e ndërsjella mes të dyja shteteve, marrëdhëniet me vendet fqinje dhe BE-në, si dhe të tjera çështje, të cilat u parashtruan nga studentët gjatë takimit.