Rektori Sahiti dhe kirurgu nga ShBA-ja, prof. dr. Rifat Latifi, diskutojnë rreth ideve të bashkëpunimit në fushën e kirurgjisë

23 Shtator 2021
SHARE

Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, prof. dr. Naser Sahiti, ka pritur sot në takim prof. dr. Rifat Latifin, kryetar i Departamentit të Kirurgjisë në Kolegjin e Mjekësisë të Nju-Jorkut si dhe drejtor i Departamentit të Kirurgjisë në Qendrën Mjekësore të Uestçesterit, SHBA.

Rektori Sahiti u shpreh i nderuar me vizitën që i ka bërë prof. dr. Latifi, si dhe e përgëzoi për sukseset e shënuara në aspektin akademik dhe profesional në fushën e kirurgjisë. Ai e falënderoi edhe për bashkëpunimin që ka kultivuar ndër vite me stafin e Fakultetit të Mjekësisë në UP, duke asistuar dhe mundësuar publikime të përbashkëta në revista shkencore me impakt faktor të lartë, por edhe në organizimin e ngjarjeve shkencore të përbashkëta.

I lumtur për vizitën e tij në UP u shpreh edhe vetë profesori Latifi. Ai e falënderoi rektorin për pritjen dhe për gatishmërinë për bashkëpunim.

Sahiti dhe Latifi biseduan rreth formave të tjera të bashkëpunimit, me qellim shkëmbimin e përvojave dhe njohurive ndërmjet profesionistëve nga fusha e kirurgjisë në Kosovë dhe SHBA.

Bashkëpunimi i UP-së me profesor Latifin do të thellohet edhe në vazhdimësi nëpërmjet angazhimit të tij si profesor vizitor në Fakultetin e Mjekësisë për një semestër në vitin e ardhshëm akademik.