Nënshkruhet Memorandumi i Mirëkuptimit në mes të Universitetit të Prishtinës/Fakultetit Juridik dhe Fondacionit Rene Cassin - Institutit Ndërkombëtar për të Drejtat e Njeriut

15 Shtator 2021
SHARE

Më 14 shtator 2021, në ambientet e Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Strasburg/Francë, u nënshkrua Memorandumi i Mirëkuptimit në mes të Universitetit të Prishtinës, Fakultetit Juridik dhe Fondacionit Rene Cassin - Institutit Ndërkombëtar për të Drejtat e Njeriut. Qëllimi i këtij Memorandumi të Mirëkuptimit është krijimi i kornizës së përgjithshme të bashkëpunimit në mes të palëve. Përmes këtij memorandumi, në veçanti, synohet konsolidimi i Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës në fushën e së drejtës ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, të drejtën humanitare dhe të drejtën penale ndërkombëtare, duke shfrytëzuar ekspertizën e fondacionit dhe, në veçanti, duke mundësuar organizimin e sesioneve të trajnimit, konferencave të përbashkëta dhe pjesëmarrjen e studentëve të Fakultetit Juridik në programet, seminaret dhe sesionin veror, që mbahet çdo vit në Strasburg.

Memorandumi i Mirëkuptimit u nënshkrua nga rektori, prof. dr. Naser Sahiti, dhe dekani i Fakultetit Juridik, prof. ass. dr. AvniPuka, në një anë, dhe znj. Valerie Candau, zv.drejtoreshë, në emër të z. Sebastien Touze, drejtor i fondacionit, në anën tjetër.

I gjithë aktiviteti deri në finalizimin e këtij memorandumi është mbështetur dhe koordinuar nga Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Strasburg. Me këtë rast, Universiteti i Prishtinës dhe Fakulteti Juridik shprehin falënderimet e tyre më të sinqerta për znj. Mimoza Ahmetaj, ambasadore, znj. FloretaKabashi-Ademaj, diplomate, dhe tërë stafin e konsullatës për angazhimin e vazhdueshëm në promovimin e vendit tonë dhe mikpritjen e tyre të ngrohtë.