UP-ja nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me Organizatën Ndërkombëtare për Migrim

22 Korrik 2021
SHARE

Në rektoratin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, u nënshkrua sot marrëveshja e bashkëpunimit ndërmjet Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe Organizatës Ndërkombëtare për Migrim (IOM), pjesë e sistemit të Kombeve të Bashkuara (UN).

Memorandumi u nënshkrua nga rektori, prof. dr. Naser Sahiti dhe shefja e Misionit të IOM-it, znj. Anna Rostocka.

Gjatë takimit, rektori Sahiti theksoi që UP-ja është e gatshme që të punojë me seriozitet në implementimin e pikave të këtij memorandumi, të cilat do të jenë me interes për stafin dhe studentët e UP-së, por edhe për IOM-in.

Në anën tjetër, znj. Rostocka falënderoi të gjithë ata që kanë punuar në inicimin e këtij bashkëpunimi, teksa foli me entuziazëm për nisjen e këtij partneriteti me UP-në.

Memorandumi i nënshkruar përcakton konditat e bashkëpunimit ndërmjet UP-së dhe IOM-it në institucionalizimin e mësimit të gjuhëve zyrtare në Kosovë, përmes themelimit dhe funksionalizimit të Qendrës së Gjuhëve dhe Departamentit të Ballkanistikës në kuadër të Fakultetit të Filologjisë. Kjo marrëveshje parasheh edhe realizimin e studimeve kërkimore rreth çështjeve me interes të përbashkët; bashkëpunimin në ngritjen e kapaciteteve, mbledhjen dhe shkëmbimin e të dhënave në fushat e ndërlidhura me kompetencat e IOM-it, e në të tjera fusha të cilat mund të konsiderohen relevante për bashkëpunim ndërmjet palëve.