Universiteti i Prishtinës dhe ai i Zagrebit nënshkruajnë marrëveshje të bashkëpunimit

15 Korrik 2021
SHARE

Në ambientet e Rektoratit të Universitetit të Zagrebit, rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, prof. dr. Naser Sahiti, si dhe rektori i Universitetit të Zagrebit, profesor Damir Boras, kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi. E pranishme në këtë takim ishte edhe prorektorja për bashkëpunim ndërkombëtar në UP, prof. asoc. dr. Albulena Blakaj.

Në ceremoninë e nënshkrimit të memorandumit, rektorët theksuan që me anë të kësaj marrëveshjeje, po mundësohet vazhdimi i partneritetit të dy universiteteve me traditë të gjatë të bashkëpunimit.

Me qëllim të intensifikimit të marrëdhënieve ndërmjet të dyja universiteteve dhe mundësimit të shkëmbimeve akademike dhe kulturore ndërmjet të dyja institucioneve në fushën e edukimit, hulumtimit dhe aktiviteteve të tjera, u nënshkrua ky memorandum, i cili mes tjerash synon edhe ndërkombëtarizimin e arsimit të lartë. Programet e parapara për bashkëpunim në kuadër të këtij dokumenti përfshijnë: shkëmbimin e studentëve dhe të stafit akademik; krijimin e programeve të përbashkëta studimore, apo projekteve të përbashkëta hulumtuese; organizimin e konferencave të përbashkëta; programe të përbashkëta kulturore, e bashkëpunim në fusha të tjera në suaza të interesit të përbashkët të palëve.

Memorandumi i nënshkruar sot ndërmjet universiteteve partnere i hap rrugët nënshkrimit të marrëveshjeve të reja konkrete dhe inicimit të projekteve të ndryshme ndërkombëtare në të ardhmen.