Rektori Sahiti dhe drejtorja e Manifestas, znj. Fijen, diskutojnë për bashkëpunim në organizimin e Bienales 2022

28 Qershor 2021
SHARE

Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, prof. dr. Naser Sahiti, ka pritur sot në takim, në Rektoratin e UP-së, drejtoren e Manifesta Biennial, znj. Hedwig Fijen.

Gjatë takimit u diskutuan çështje të ndryshme që përfshijnë organizimin e Manifesta Biennial, ndër të tjerash, përfshirjen e studentëve të UP-së në organizimin e festivalit dhe realizimin e projekteve në kuadër të tij, së bashku me studentët dhe stafin e universitetit.

Rektori Sahiti e vlerësoi lart impaktin që bienalja mund ta ketë për Prishtinën, si dhe theksoi vullnetin e UP-së për të qenë partner i këtij festivali. “Universiteti i Prishtinës është institucioni më i madh dhe lider i arsimit të lartë. Studentët tanë dhe stafi paraqesin një kapacitet të lartë, i cili mund të jetë një ndihmesë në realizimin e këtij aktiviteti kaq të rëndësishëm ndërkombëtar,” the rektori Sahiti.

Në anën tjetër, znj. Fijen theksoi që Manifesta nuk e sjell vetëm kulturën ndërkombëtare në vendin pritës, por në bashkëpunim me institucionet vendore dhe nikoqirët, punon në avancimin tutje të ideve të bienales. Fijen theksoi që janë të interesuar në përfshirjen e studentëve të UP-së në projektet e këtij edicioni, si praktikantë dhe si audiencë e kësaj bienaleje, në mënyrë që të përfitojnë njohuri të reja nga ajo që bienalja do të prezantojë.

Të dyja palët u dakorduan që bashkëpunimi të nisë me përcaktimin e konditave të tij, në kuadër të një memorandumi të mirëkuptimit, i cili do të nënshkruhet ndërmjet UP-së dhe Manifestas.

Manifesta është një bienale e artit bashkëkohor, e cila është themeluar 25 vjet më parë. Kjo bienale udhëton çdo dy vjet në qytete të ndryshme të Evropës, për të zhvilluar aktivitete të ndryshme artistike, edukative e hulumtuese përgjatë 100 ditëve. Në vitin 2022, Kosova, për herë të parë, do të jetë nikoqire e bienales, ku ndër të tjerash priten të zhvillohen projekte të shumta nga studentët dhe stafi i UP-së.