UP-ja dhe Universiteti i Beykoz-it nënshkruajnë memorandum për bashkëpunim në disa fusha

11 Qershor 2021
SHARE

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” ka vënë themelet e bashkëpunimit me Universitetin e Beykoz-it në Stamboll, Turqi.

Gjatë një vizite zyrtare të rektorit të UP-së, prof. dr. Naser Sahiti, në universitetin turk, ai u prit në takim nga rektori i këtij universiteti, prof. dr. Mehmet Durman, me të cilin nënshkroi memorandum të bashkëpunimit.

Me anë të këtij memorandumi parashihet bashkëpunim ndërmjet universiteteve në disa fusha dhe aktivitete, përfshirë shkëmbimin e studentëve për studime dhe për punë praktike, shkëmbimin e stafit akademik dhe administrativ, organizimin e aktiviteteve të përbashkëta hulumtuese dhe realizimin e publikimeve të përbashkëta.

Rektori Sahiti dhe rektori Durman, gjatë takimit, theksuan vullnetin e të dyja palëve për bashkëpunim të ngushtë, në të mirë të avancimit të cilësisë së studimeve për studentët, por edhe të hulumtimit dhe të punës për stafin e universiteteve.

Memorandumi i bashkëpunimit ka hyrë në fuqi në momentin e nënshkrimit dhe parasheh bashkëpunim të palëve për tre vjetët në vijim.