Ish-ushtarja amerikane, dr. Elaine Berkowitz, dhuron donacion prej 5 mijë dollarësh për UP-në

03 Qershor 2021
SHARE

Në rektoratin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, sot u bë pranimi zyrtar i donacionit prej 5 mijë dollarësh nga ish-ushtarja amerikane, dr. Elaine Berkowitz.

Me anë të këtij donacioni, të dedikuar për Departamentin e Stomatologjisë në Universitetin e Prishtinës, synohet të blihen pajisje, të cilat do t’u shërbejnë studentëve të këtij departamenti.

Mirënjohës për donacionin e dr. Berkowitz u shpreh rektori i UP-së, prof. dr. Naser Sahiti. Ai tha që UP-ja do të sigurohet që donacioni i dhuruar t’u shërbejë studentëve në përmirësimin e kushteve të tyre të studimit. Rektori Sahiti i falënderoi të gjithë ata që ndihmuan në realizimin e këtij bashkëpunimi, si dhe e ftoi dr. Berkowitz ta vizitojë UP-në.

Në emër të dhurueses së donacionit foli profesoresha e Fakultetit të Mjekësisë, Teuta Bicaj. “Kosova për mua është si shtëpi e dytë. Qysh nga ditët e mia të para në Kampin e Bondsteel-it, mund të them që jam e dashuruar me Kosovën – me njerëzit, kulturën, vendin dhe ushqimin,” theksoi profesoresha Bicaj fjalët nga letra e dr. Berkowitz. Ish-ushtarja amerikane ka përmendur edhe ditët e kaluara në Departamentin e Stomatologjisë dhe shtoi që këtë donacion e dhuron në nderim të prof. dr. Agim Islamit, profesor i pensionuar i Fakultetit të Mjekësisë.

Donacionin e dhuruar e vlerësoi edhe dekanja e FM-së, prof. dr. Suzana Manxhuka – Kërliu, e cila shtoi që këto mjete do të shfrytëzohen për blerjen e gjashtë zmadhuesve binokularë që u nevojiten studentëve të degës së stomatologjisë.

Të pranishëm në këtë takim ishin edhe profesor Agim Islami, për nder të të cilit është dhuruar ky donacion, z. Arbnor Mjeku nga Germin, përfaqësues i Mark Kosmo, kryesues i Bordit Drejtues të Global Albanians Foundation, si dhe Lekë Rezniqi, përfaqësues i miqësisë Kosovë – Izrael.