Rektori Sahiti takon përfaqësues të studentëve me nevoja të veçanta

02 Qershor 2021
SHARE

Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, prof. dr. Naser Sahiti, i shoqëruar nga prorektori për zhvillim të cilësisë, prof. ass. dr. Elton Bahtiri, ka pritur sot në takim përfaqësues të studentëve me nevoja të veçanta.

Rektori Sahiti shprehu gatishmërinë e menaxhmentit për të hapur perspektiva të reja në arsimin e lartë për studentët me nevoja të veçanta dhe, sipas mundësive, krijimin e mundësive për zhvillim të karrierës së tyre.

Në anën tjetër, Leonor Berisha, kryetar i Fondacionit të Studentëve me Nevoja të Veçanta të Kosovës, përmendi vështirësitë që hasin gjatë studimeve studentët me nevoja të veçanta, si dhe nevojat e tyre dhe idetë për përmirësim të kushteve më të cilat ata përballen.

Gjatë këtij takimi u diskutua rreth lehtësimit të qasjes për studentët me nevoja të veçanta në ndërtesat e njësive akademike të UP-së, përmes ndërtimit të pjerrinave, mbajtëseve jashtë dhe brenda objekteve, dhe funksionalizimit të ashensorëve, sikurse edhe për mundësimin e përfshirjes së studentëve me nevoja të veçanta në programe shkëmbimi jashtë vendit. Po ashtu, u fol edhe rreth mundësisë së përfshirjes së studentëve me nevoja të veçanta në grupet punuese kur hartohen rregullore apo udhëzues që mund ta afektojnë këtë grup studentësh.