Studentët e sociologjisë prezantojnë gjetjet e hulumtimit për ndryshimet sociokulturore në Kosovë

28 Maj 2021
SHARE

Studentët e Departamentit të Sociologjisë në Universitetin e Prishtinës "Hasan Prishtina", kanë prezantuar gjetjet e hulumtimit “Ndryshimet sociokulturore në Kosovën e sotme”, i realizuar në kuadër të lëndës Praktikumi sociologjik në vitin akademik 2019/2020, nën udhëheqjen e prof. ass. dr. Shemsi Krasniqit dhe ass. Artan Krasniqit. Prezantimi u bë në kuadër të Javës së Bibliotekës në Kosovë, që sivjet organizon edicionin e 18-të, me titullin “Kujtesa Kombëtare”.

Qëllimi i këtij hulumtimi është studimi i ndryshimeve më të rëndësishme sociale dhe kulturore që kanë ndodhur në Kosovën e sotme, përkatësisht gjatë dekadës së dytë të shekullit XXI. Ai vjen një dekadë pas hulumtimit të parë, që është bërë në kuadër të lëndës së njëjtë në Departamentin e Sociologjisë. Hulumtimi i përket fushës së hulumtimeve të kryera me metoda kualitative.

Pjesë e rëndësishme e hulumtimit janë përjetimet e qytetarëve gjatë karantinës, të shkaktuar nga Covid-19, ndryshimet e shprehive të orientuara në kahe pozitive dhe negative, atmosfera dhe raportet familjare, kujdesi i qytetarëve ndaj masave të përcaktuara, menaxhimi i pandemisë nga institucionet përkatëse, si dhe mësimet që u nxorën nga kjo pandemi.

Profesorët dhe studentët e UP-së kanë qenë kurues edhe të ekspozitave dhe aktiviteteve të tjera në kuadër të shënimit të Javës së Bibliotekës në Kosovë.