Rektori Sahiti përshëndeti nisjen e Javës së Bibliotekës në Kosovë

24 Maj 2021
SHARE

Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, prof. dr. Naser Sahiti ishte i pranishëm sot në ceremoninë hapëse të Javës së Bibliotekës në Kosovë, të organizuar nga Biblioteka Kombëtare “Pjetër Bogdani”.

Në këtë ceremoni, ku të pranishëm ishin edhe presidentja e Republikës së Kosovës, znj. Vjosa Osmani, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, z. Hajrulla Çeku, drejtori i Bibliotekës Kombëtare, z. Fazli Gajraku, si dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve vendore, studentë e studiues, rektori Sahiti iu drejtua audiencës me fjalë rasti.

Në fjalën e tij, rektori Sahiti u shpreh i nderuar që, në cilësinë e të parit të UP-së, po përshëndet nisjen e Javës së Bibliotekës në Kosovë. “Në këto ditë, më shumë se kurdoherë, duhet të reflektojmë se ruajtja e traditës, dokumentimi i saj dhe përcjellja gjeneratë pas gjenerate është sfidë dhe kënaqësi në të njëjtën kohë,” theksoi, ndër të tjerash, rektori.

Me fjalë rasti në këtë ceremoni, para të pranishmëve, u paraqit edhe presidentja Osmani – Sadriu, e cila premtoi vëmendje meritore për bibliotekat si dhe i ftoi të rinjtë që t’i vizitojnë sa më shumë bibliotekat për ta njohur më mirë vendin e kombin tonë.

Ceremoninë hapëse të Javës së Bibliotekës, me titull “Kujtesa Kombëtare – koleksionet audiovizuale dhe efemeret”, e pasoi hapja e ekspozitës “Kujtesa kulinare e Kosovës: menytë e restoranteve”, me autor dr. Arsim Canollin, profesor në Fakultetin Filozofik të UP-së, i cili theksoi që në realizimin e kësaj ekspozite kanë ndihmuar edhe studentët e UP-së.