UP-ja nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me Odën Sllovene të Bizneseve

17 Maj 2021
SHARE

Në rektoratin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, u nënshkrua marrëveshja e bashkëpunimit ndërmjet Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike dhe Odës Sllovene të Bizneseve.

Marrëveshja e nënshkruar ka për synim krijimin e partneritetit me qëllim të shkëmbimit dhe ofrimit të këshillave profesionale për bizneset në fushën e inxhinierisë elektrike dhe kompjuterike, si dhe studentëve të këtij fakulteti t’u mundësohet të vijojnë praktika profesionale pranë bizneseve anëtare të OSB-së.

Memorandumi u nënshkrua nga rektori, prof. dr. Naser Sahiti, dekani i FIEK-ut, prof. dr. Isak Shabani, dhe z. Bajram Fusha, drejtor i OSB-së.

Gjatë takimit, rektori Sahiti theksoi se UP-ja është e përkushtuar që programet studimore t’i përafrojë me nevojat e tregut të punës. Sipas tij, marrëveshjet e tilla me partnerë nga biznesi e industria i shërbejnë këtij qëllimi, sepse përmes këtyre bashkëpunimeve shkëmbehen këshillat dhe informatat e nevojshme në këtë drejtim.

Të lumtur për nënshkrimin e këtij memorandumi u shprehen edhe dekani Shabani dhe z. Fusha.. Ata theksuan nevojën për të pasur një bashkëpunim të tillë dhe vullnetin për implementimin e këtij dokumenti në të mirë të studentëve dhe stafit të UP-së, por edhe partnerëve të OSB-së.