Vijojnë vizitat e menaxhmentit te vendpunimet, në kuadër të projektit për drenazhim të objekteve të UP-së

17 Maj 2021
SHARE

Punimet për drenazhimin e objekteve të Fakultetit Filozofik, Fakultetit të Filologjisë dhe Fakultetit të Shkencave Matematike Natyrore, në kuadër të projektit me titull “Drenazhimi, kanalizimi, ujësjellësi në Filologjik, FSHMN, Filozofik”, i ka vizituar sot nga afër rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, prof. dr. Naser Sahiti.

Në këtë vizitë rektori Sahiti ishte i shoqëruar nga prorektorja për buxhet dhe financa, prof. dr. Mihane Berisha, sekretari i përgjithshëm, z. Esat Kelmendi, ndërkaq, te vendi i punimeve, ai u takua me përgjegjësit e projektit për drenazhimin e objekteve të UP-së dhe dekanët e njësive akademike përkatëse.

Rektori Sahiti u interesua në detaje për dinamiken e procesit të drenazhimit si dhe kërkoi nga menaxheri i kontratës, prof. ass. sc. Qani Kadiri, dhe pjesa tjetër e ekipit të përfshirë në këtë projekt, që të respektohen me përpikëri masat e sigurisë, në mënyrë që punimet të kryhen me dëme minimale.

Sahiti theksoi se vizita të tilla, për të parë në afërsi mbarëvajtjen e punimeve, do të bëhen edhe në vazhdim nga ana e menaxhmentit të UP-së, duke dëshmuar kështu edhe gatishmërinë e menaxhmentit për të punuar ngushtë me ekipin përgjegjës, në mënyrë që projekti të realizohet sipas pritshmërisë.