Rektori Sahiti viziton punimet në kuadër të projektit për drenazhim të objekteve të UP-së

30 Prill 2021
SHARE

Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, prof. dr. Naser Sahiti, i shoqëruar nga prorektorja për buxhet dhe financa, prof. dr. Mihane Berisha, ka takuar dekanët e njësive akademike dhe përgjegjësit e projektit për drenazhimin e objekteve të UP-së.

Përmes projektit me titull “Drenazhimi, kanalizimi, ujësjellësi në Filologjik, FSHMN, Filozofik”, punimet lidhur me drenazhim do të realizohen në objektet e Fakultetit Filozofik, Fakultetit të Filologjisë dhe Fakultetit të Shkencave Matematike Natyrore, por nga punimet do të preket edhe Fakulteti i Edukimit Fizik dhe Sportit.

Rektori Sahiti kërkoi nga menaxheri i kontratës, profesor Qani Kadiri, si dhe pjesa tjetër e ekipit të përfshirë në këtë projekt, që të shfrytëzohen të gjitha mundësitë për eliminimin e avarive dhe në kryerjen e punëve të këtij projekti sipas planifikimeve.

Në anën tjetër, dekanët shprehen shqetësimin e tyre për mbrojtjen e ambientit, përkatësisht theksuan kërkesën e tyre për mbrojtje të drurëve që gjenden në këtë pjesë.

Ekipi përgjegjës ka siguruar menaxhmentin e UP-së që punimet do të organizohen sipas planifikimeve dhe do të tentojnë maksimalisht që të ruajnë ambientin dhe të mos shkaktojnë dëme që mund të afektojnë negativisht tek objektet, stafi apo studentët.