Profesori i UP-së publikon në revistën më prestigjioze "Nature Medicine"

29 Mars 2021
SHARE

Kreshnik Hoti, profesor i asocuar në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, ka shënuar sukses të rëndësishëm shkencor, duke publikuar së fundi në revistën prestigjioze ‘Nature Medicine’ me impakt faktor 36.13, ndër më të lartat në botë. Kjo punë është realizuar gjatë qëndrimit njëvjeçar të profesorit Hoti në Massachusetts Institute of Technology (MIT), përmes bursës së Fulbrightit.

Kreshniku dhe kolegët nga MIT-i zhvilluan një qasje të re të përdorimit të inteligjencës artificiale (IA) për të vlerësuar vetadministrimin e terapisë pa asnjë kontakt me pacientin, duke përdorur sinjalet pa tela (wireless). Kështu, autorët kanë dëshmuar një potencial të ri të IA-së në përmirësimin e sigurisë së barnave. Punimi konsiderohet i veçantë edhe për shkak të aspekteve të tjera, të listuara më poshtë:

  1. Bazuar në informatat që kemi, ky është punimi i kategorisë ‘hulumtim origjinal’, i botuar në revistën me impaktin më të lartë, që mban afilimin e UP-së.
  2. Ky hulumtim është raportuar nga dhjetëra media botërore si Tech Times, MIT News, Science and Enterprise etj., duke dëshmuar kështu rëndësinë e hulumtimit.
  3. Universiteti i Prishtinës paraqitet si afilim përkrah MIT-së, që rankohet si universiteti numër 1 në botë sipas QS ranking dhe Elsevier.

Në këtë hulumtim Kreshniku paraqitet si njëri nga autorët kryesor, si dhe autor korrespondent.

Për ta përgëzuar për suksesin e shënuar, rektori i UP-së, prof. dr. Naser Sahiti, e ka pritur në takim profesorin Hoti. Teksa e vlerësoi lart punën e tij, rektori Sahiti shprehu edhe vullnetin e menaxhmentit të UP-së për t’i mbështetur profesorët, të cilët janë pjesë jetike e UP-së dhe, me sukseset e tyre, i shtojnë edhe më tepër prestigj institucionit.

Hulumtimi i profesor Hotit mund të qaset duke klikuar këtu: https://www.nature.com/articles/s41591-021-01273-1