Viti virtual në UP – rektori përgëzon stafin dhe studentët

16 Mars 2021
SHARE

235,517 ligjërata virtuale janë mbajtur që nga 16 marsi 2020, kur Universiteti i Prishtines “Hasan Prishtina” nisi zyrtarisht mësimin virtual.

UP-ja dëshmoi aftësinë për adaptim të shpejtë të studentëve dhe stafit në platformat e mësimit virtual, ku në vetëm javën e parë të kalimit nga ligjëratat në klasa në platformat virtuale, UP-ja mbajti mbi 2 mijë ligjërata, në të cilat morën pjesë rreth 25 mijë studentë.

Në njëvjetorin e nisjes së vitit akademik virtual në UP, rektori, prof. dr. Naser Sahiti, përgëzon stafin akademik, administrativ si dhe studentët për kontributin e dhënë dhe qëndrueshmërinë, që UP-ja të arrijë objektivat e tij edhe në situatën e jashtëzakonshme të krijuar nga pandemia.
“Studentët dhe stafi dëshmuan maturinë, gatishmërinë dhe njohuritë e duhura për të shënuar sukses në mësimdhënie dhe mësimnxënie edhe në rrethanat e krijuara nga pandemia covid-19. Përveç në mësim, ata ishin të gatshëm edhe në organizimin e aktiviteteve të ndrzshme jashtë kurrikulare në mënyrë virtuale. Andaj, dua t’i përgëzoj studentët për sukseset e shënuara në mësim gjatë kësaj periudhe njëvjeçare, ndërkaq stafin për përkushtimin në punën e tyre, duke vazhduar kështu ta mbajnë UP-në si prijës të nismave jetike për shoqërinë tonë,” thotë rektori Sahiti.

Mësimi larg kampusit të UP-së dhe kontakti përmes ekranit me kolegët dhe profesorët u konsiderua sfidë edhe për vetë studentët. Studentja Verë Dugolli, e shpallur si studente e dalluar e Fakultetit të Edukimit për këtë vit, tha që përkundër sfidave, mësimi virtual kishte edhe përparësitë e veta sepse ishte pa barriera gjeografike dhe kursente kohë. “Zbulimi i mëtejmë i botës teknologjike dhe zbatimi i saj në mësimdhënie ishte një pikë kthese tejet pozitive. Kreativiteti dhe fleksibiliteti i mësimdhënësve tanë me ndryshimin e metodologjive, me qëllim të adaptimit, na zëvendësoi sadopak interaktivitetin që na mungonte,” thotë Vera.

Në këtë ditë, UP-ja kujton edhe stafin e UP-së dhe qytetarët që humben jetën në luftë me virusin SARS-CoV-2, si dhe vlerëson lart punën dhe profesionalizmin e stafit të Fakultetit të Mjekësisë, së bashku me studentët vullnetarë, të cilët dhanë kontribut vital për vendin në përballje me pandeminë e koronavirusit.