Rektori Sahiti dhe ambasadori Minxhozi diskutojnë për bashkëpunim në fushën e arsimit ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë

04 Mars 2021
SHARE

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, z. Qemal Minxhozi, ka vizituar sot Rektoratin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, ku u prit në takim nga rektori i UP-së, prof. dr. Naser Sahiti. Rektori Sahiti, në këtë takim, ishte i shoqëruar nga prorektorët dhe këshilltari i tij.

Gjatë takimit u diskutuan tema të rëndësishme të arsimit të lartë, me theks të veçantë bashkëpunimi bilateral ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës, i cili u tha që mund të thellohet vetëm duke shfrytëzuar resurset akademike të universiteteve të të dyja vendeve.

Rektori Sahiti theksoi se Menaxhmenti i UP-së është i dedikuar që sa më parë të vë themelet për bashkëpunime esenciale në fusha specifike me rëndësi për UP-në, por edhe për vendin.
“UP-ja është e interesuar që të bashkëpunojë në fusha konkrete, si dhe të implementojë me përpikëri zotimet e parapara në marrëveshje të bashkëpunimit, duke mundësuar kështu që marrëveshjet të mos qëndrojnë vetëm në letër, por të zbatohen edhe në praktikë,” tha rektori Sahiti. Ai, ndër të tjerash, sugjeroi që ndërmjet universiteteve shqiptare në Kosovë dhe Shqipëri të bëhet shkëmbim i studentëve dhe stafit, në mënyrë që të sigurohet vazhdimësi në bashkëpunimin e ndërsjellë.

Në anën tjetër, ambasadori Minxhozi tha se, përveç arsimit të lartë, Universiteti i Prishtinës, së bashku me Universitetin e Tiranës dhe të tjera universitete shqiptare, do të mund të kontribuonte edhe në krijimin e një tregu të përbashkët ekonomik.
Ne duam që Kosova të jetë edhe më tepër e pranishme në Shqipëri. Kjo mund të bëhet përmes UP-së, sepse universitetet janë makina kryesore për bashkëpunim ndërmjet shteteve tona,” theksoi Minxhozi.

Palët u dakorduan që të iniciojnë takime të përbashkëta për të konkretizuar deri në detaje dhe për të sjellë në praktikë idetë për bashkëpunim ndërmjet institucioneve të arsimit të lartë në Kosovë dhe Shqipëri.