UP-ja nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me K.R.U. “Prishtina” për angazhimin e studentëve në punë praktike

02 Mars 2021
SHARE

Në Rektoratin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, sot, u nënshkrua marrëveshja e bashkëpunimit ndërmjet Fakultetit të Ndërtimtarisë në UP dhe Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “PRISHTINA”. Marrëveshja e nënshkruar ka për qëllim ngritjen profesionale të studentëve të programeve të Fakultetit të Ndërtimtarisë, duke i angazhuar studentët në punë praktike në ambientet e KRU-së.

Memorandumi u nënshkrua nga rektori i UP-së, prof. dr. Naser Sahiti, u.d. kryeshefi ekzekutiv i K.R.U. “Prishtina”, Msc. Sokol Xhafa, si dhe dekani i FN-së, prof. ass. dr. Florim Grajçevci.

I lumtur për mundësinë e krijuar për studentët tanë u shpreh rektori Sahiti, i cili tha që ky memorandum është shumë përmbajtjesor, andaj UP-ja do të dëshironte që këtë formë të bashkëpunimit ta kultivonte edhe me institucione të tjera.

Memorandumi i nënshkruar sot shpreh vullnetin e palëve për bashkëpunimin institucional, me qëllim të përgatitjes dhe avancimit profesional të gjeneratave të ardhshme për tregun e punës në vend.