UP-ja pranon pajisje teknologjike për saldim nga GIZ-i

12 Shkurt 2021
SHARE

Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” ka pranuar pajisje për saldim, versioni i fundit i teknologjisë, nga Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ) GmbH, program i qeverisë gjermane.

Të pranishëm në ceremoninë e dorëzimit të pajisjeve ishin: rektori i UP-së, prof. dr. Naser Sahiti, ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, z. Jörn Rohde, prorektorja për bashkëpunim ndërkombëtar, prof. asoc. dr. Albulena Blakaj, dekani i Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike, prof. dr. Ahmet Shala, udhëheqësi i projektit për punësimin dhe shkathtësitë e të rinjve në kuadër të GIZ-it, dr. Klaus Bader-Labarre, si dhe pjestarë të stafit akademik dhe administrativ të UP-së.

Rektori, prof. dr. Naser Sahiti, u shpreh i lumtur për arritjen e këtij bashkëpunimi me GIZ-in, duke vlerësuar mbështetjen e vazhdueshme të qeverisë gjermane për arsimin në Kosovë.
“Universiteti i Prishtinës e çmon mbështetjen e vazhdueshme nga ana e qeverisë gjermane dhe GIZ-it. Kjo mbështetje është esenciale për forcimin dhe zgjerimin e kapaciteteve të universitetit sa i përket ofrimit të trajnimeve specifike për komunitetin dhe institucionet,” theksoi rektori Sahiti.

Në anën tjetër, ambasadori gjerman, Jörn Rohde, theksoi se digjitalizimi është shumë i rëndësishëm për ekonominë e vendit dhe Gjermania është një partner i madh i Kosovës në këtë drejtim. “Qeveria gjermane e mbështet Kosovën dhe shumë vende të tjera në botë në modernizimin e arsimit. Prandaj edhe fokusi i Gjermanisë është veçanërisht në arsimin dhe aftësimin profesional, për të siguruar kështu mundësi të shkëlqyera për tregun kombëtar dhe ndërkombëtar të punës,” tha ambasadori Rohde.

Të lumtur për realizimin me sukses të këtij bashkëpunimi u shprehen edhe dekani Ahmeti dhe z. Bader-Labarre.

Pajisjet e pranuara nga UP-ja janë makineri të saldimit të tipit Soldamatic Realitet i Shtuar (AR). Të njëjtat janë të destinuara që të shfrytëzohen për mësimdhënie dhe trajnim të studentëve të UP-së dhe të shkollave të mesme të larta profesionale në lëmin e saldimit. Përveç UP-së, edhe kompanitë nga sektori privat do të kenë mundësi të ndjekin kurse dhe të trajnohen nga FIM-i për saldim me anë të këtyre makinerive.