Studentët e UP-së vazhdojnë të studiojnë gjithandej Evropës me Erasmus+

21 Janar 2025
SHARE

Në një takim të rektorit Arben Hajrullahu dhe prorektorëve Rozafa Basha e Naim Jerliu me studentë të Universitetit të Prishtinës që do të studiojnë për një semestër në Evropë, në kuadër të programit Erasmus +, këta studentë u cilësuan ambasadorë të universitetit dhe shtetit.

Gjatë fjalës së tij, rektori Arben Hajrullahu, u kërkoi studentëve përfitues nga programi i BE-së Erasmus+, që të kenë ambicie të mëdha dhe të planifikojnë gjithçka, sepse pa ambicie e planifikim nuk mund të bëhet asnjë hap përpara në rrugën akademike dhe në jetë.

Rektori Hajrullahu i konsideroi këta studentë pasqyrë të Universitetit të Prishtinës dhe shtetit të Kosovës, ndërsa praninë e tyre në ndërtesën e Rektoratit e vlerësoi nder dhe kënaqësi.

Studentja e Fakultetit të Mjekësisë, Bardha Kelmendi, duke folur në emër të të gjithë studentëve që në muajt në vazhdim do të shtojnë njohuritë e tyre nëpër universitete evropiane, tha se të gjithë do të angazhohen që të ruajnë e të forcojnë miqësitë që Universiteti i Prishtinës ka krijuar jashtë vendit.

Ajo deklaroi se do të krijojnë ura të reja bashkëpunimi dhe do të jenë ambasadorë të denjë të UP-së dhe shtetit të Kosovës, pasi si gjenerata të pasluftës, po rriten bashkë me Republikën.

Para studentëve folën edhe prorektorja për ndërkombëtarizim dhe shkëmbim akademik, Rozafa Basha dhe prorektori për mësimdhënie, çështje të personelit akademik dhe botime, Naim Jerliu, ndërsa takimi u organizua nga Zyra për Bashkëpunim Ndërkombëtar në Universitetin e Prishtinës.

Kosova është pjesë e programit Erasmus+ që nga viti 2015, ndërsa prej tij deri tash nëpër universitete evropiane kanë shkuar 6278 studentë e profesorë të institucioneve kosovare të arsimit të lartë.