Universiteti i Prishtinës ka mikpritur manifestimit kulturor “Ura me tri harqe”, i cili ka shënuar edicionin e 13-të. Ky aktivitet vjetor kulturor është një projekt i përbashkët i Fakultetit të Arteve të Universitetit të Prishtinës, Universitetit të Arteve të Tiranës dhe Fakultetit të Arteve të Universitetit të Tetovës. Gjatë dy ditëve sa mbahet ky manifestim, “Ura me tri harqe” synon nxitjen e bashkëpunimit sa më të madh kulturor të tri qendrave dhe qyteteve të lartpërmendura shqiptare. Zhvillimi i tij bëhet nëpërmjet sistemit të rotacionit dhe në çdo vit njëra nga tri qendrat universitare dhe kulturore është nikoqire e edicionit.
Në këtë ceremoni, i pranishëm ka qenë edhe rektori i UP-së, Qerim Qerimi. Ai e nisi fjalimin e tij me kohën kur shkrimtari Ismail Kadare ka botuar romanin e tij të njohur “Ura me tri harqe”, sipas të cilit edhe është emërtuar ky festival. Qerimi foli për rëndësinë e zhvillimit të aktiviteteve kulturore ndërmjet universiteteve.
“Të rralla janë rastet kur na jepen mundësia, nderi e privilegji të gjendemi në një mjedis të tillë, solemn e artistik, siç është ky përurues i edicionit të 13-të, manifestim artistik ndëruniversitar me titullin simbolik ‘Ura me tri harqe’. Këtu e afër gjysmë shekulli më herët, kur UP-ja nuk kishte mbushur dhjetë vjet, shkrimtari ynë i njohur i letërsisë shqiptare dhe jo vetëm, Ismail Kadare, kishte hedhur në dritë veprën me titull domethënës ‘Ura me tri harqe.’” Ai foli edhe për rolin vital të universiteteve në këtë manifestim. “Janë pra këto si tri shtylla të forta të urës kadareiane që prej vitesh po e kultivojnë dhe promovojnë punën artistike të studentëve të këtyre tri universiteteve tona”, tha ai.
Në këtë manifestim, të pranishmëve iu adresua edhe dekani i Fakultetit të Arteve, Hazir Haziri, i cili iu uroi mirëseardhje të pranishmëve, ndërkaq i informoi edhe me programin e këtij organizimi.
Ndërkaq, prodekanja e Fakultetit të Arteve, Rreze Kryeziu, ka përshëndetur të pranishmit, teksa ka theksuar rëndësinë e një manifestimi të tillë, duke shtuar që arti nuk duhet të njohë kufij. Të pranishmëve iu është drejtuar edhe dekani i Fakultetit të Arteve në Universitetin e Tetovës, Senad Abduli, i cili theksoi që ky manifestim ka bërë një hap para në zhvillimin e bashkëpunimit kulturor të këtyre tri institucioneve.
Ky manifestim, gjatë këtyre dy ditëve, do të shfaqë e ekspozojë projektet artistike të realizuara nga vetë studentët përgjatë vitit akademik 2022-23, si filma me metrazh të shkurtër, dokumentarë, shfaqje teatrale, ekspozitën dhe koncertin e përbashkët të tri universiteteve.