Studenti Rilind Shala shpërblehet me mirënjohje për sukses të jashtëzakonshëm në kërkime shkencore

17 Maj 2023
SHARE

Rektori Qerim Qerimi, i shoqëruar nga prorektorja Njomza Llullaku, ka pritur në takim studentin Rilind Shala, të cilin e ka shpërblyer me mirënjohje për punën dhe suksesin e jashtëzakonshëm në kërkime shkencore.

Rilindi ka të publikuara 6 punime shkencore, ku prej tyre 5 janë si autor kryesor (autor korrespondent). Ndër sukseset e tij është edhe publikimi i tij si autor i vetëm në revistën e ranguar numër një në botë për Fizioterapi dhe Mjekësi Sportive, British Journal of Sports Medicine, që ka impact factor rekord, IF=18.47.

Për të arriturat e tij në kërkim shkencor, ai u përgëzua nga rektori Qerim Qerimi. “Është kënaqësi e imja e jashtëzakonshme që t’ju ndaj mirënjohje për këtë sukses tuajin, i cili është arritur, por edhe nder për universitetin tonë. Me punën tuaj, ju jeni duke iu dhënë shembuj shumë të rinjve, por edhe po pasqyroni kualitetin e studentëve të UP-së kudo në botë”, tha rektori.

Rilindi, i cili ndjek studimet Master për Fizioterapi në Fakultetin e Mjekësisë, është pjesë e institutit IIMPACT for Health, në University of South Australia, në rolin e bashkëpunëtorit kërkimor, institut ky ndër më të mëdhenjtë në botë për kërkime mjekësore. Gjithashtu, ai është pjesë e ekipit ndërkombëtar për hulumtim të dhimbjes, si personi i vetëm nga Ballkani në mesin e 30 shkencëtarëve dhe profesorëve më me ndikim në botën mjekësore.