STUDENTËT E FAKULTETIT JURIDIK RANGOHEN NË MESIN E PESË EKIPEVE MË TË MIRA NË EVROPË, NË GARËN NDËRKOMBËTARE TË DREJTËSISË

15 Mars 2023
SHARE

Studentët e Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës janë ranguar në mesin e pesë universiteteve më të mira, nga të gjithë pjesëmarrësit në rundet evropiane të garës prestigjioze për studentët e drejtësisë “Philip C. Jessup”, e cila është mbajtur në Gjenevë, Zvicër.  

Në këtë garë, të mbajtur në periudhën 9-11 mars 2023, ekipi përfaqësues i Fakultetit Juridik, i përbërë nga studentët: Art Sylaj, Daorsa Berisha, Ernesa Shala, Lea Meraku dhe Diellza Mujaj - trajnere e ekipit, kanë arritur sukses të jashtëzakonshëm duke u ranguar në mesin e pesë ekipeve më të mira. Për më tepër, studentja Lea Meraku është shpërblyer me çmimin e oralistes së katërt më të mirë në mesin e 60 pjesëmarrësve të tjerë.

Për suksesin e shënuar në Gjenevë, rektori Qerim Qerimi e ka shpërblyer me mirënjohje ekipin përfaqësues të UP-së. “Kur një ekip nga universiteti ynë rangohet në një pozicion të tillë të lartë në një garë prestigjioze ndërkombëtare, për ne është një kënaqësi e jashtëzakonshme. Kjo na ndihmon të kuptojmë fuqinë dhe cilësinë tonë reale. Dhe nëse ky është një parametër i saktë, të paktën në relacion me studentët, ju keni çdo arsye për çka të ndjeheni krenarë”, u tha rektori Qerimi studentëve dhe profesorëve.

Krenar me suksesin e studentëve u shpreh edhe dekani i Fakultetit, prof. asoc. dr. Avni Puka. Ai e përgëzoi ekipin dhe e ritheksoi mbështetjen e tij për studentët dhe stafin, për përfaqësim po kaq, e edhe më të mirë në kompenticionet e tjera në të ardhmen.

Të lumtur me përfaqësimin që i është bërë UP-së u shprehën edhe profesori Bekim Sejdiu dhe trajnerja, Diellza Mujaj.

E studentja Lea Meraku, e ranguar si oralistja e katërt më e mirë në mesin e shumë pjesëmarrësve nga universitete të ndryshme ndërkombëtare, falënderoi profesorët për mbështetjen e vazhdueshme gjatë përgatitjes për garë, ndërkaq shtoi që mirënjohjet e tilla i motivojnë edhe më tepër për të ardhmen.

Të pranishëm në këtë takim ishin edhe studentët që së shpejti pritet të marrin pjesë në garën Nuremberg Moot Court.

Gara e drejtësisë “Philip C. Jessup” është në mesin e tri garave me prestigjioze ndërkombëtare për studentët e drejtësisë në botë, në të cilën përfaqësohet UP-ja. I njëjti ekip përfaqësues i Fakultetit Juridik për garën “Philip C. Jessup” do të marrë pjesë edhe në rundet finale që mbahen në Uashington D.C., SHBA, në periudhën 8-15 prill 2023.