Rektori dhe kryeministri Kurti diskutojnë për sukseset dhe objektivat e UP-së

02 Shkurt 2023
SHARE

Rektori i Universitetit të Prishtinës, Qerim Qerimi, ka pritur sot në takim kryeministrin e Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti. Në këtë takim, të pranishëm ishin edhe ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, znj. Abërie Nagavci, dhe prorektorët e UP-së. 

Rektori i falënderoi kryeministrin Kurti dhe ministren Nagavci për vizitën dhe njëherësh i informoi me progresin e UP-së dhe objektivat e menaxhmentit. 
“Në rangimin e fundit, të publikuar nga Webometrics, UP-ja është konfirmuar si lider në hapësirën nacionale. Mirëpo, synimet tona janë që të shkojmë përtej kësaj dhe të jemi universitet konkurrues edhe në rajon dhe më gjerë”, theksoi ai. Qerimi shpalosi shkurtimisht edhe strategjinë e UP-së, e cila, sipas tij, mund të ndërlidhet edhe me strategjinë shtetërore. “Ne mund të mos kemi pasuri të theksuara natyrore, por mund të prodhojmë dije relevante dhe të ofrojmë një bazë të fuqishme, që këta të rinj të mos largohen nga vendi, por të vlerësohen dhe të avancohen këtu, njësoj si në çdo vend të botës së zhvilluar”, tha ndër të tjerash rektori.


Vizitën në Rektorat e konsideroi si nder dhe kënaqësi të veçantë i pari i qeverise, z. Kurti. Teksa e përgëzoi rektorin për sukseset e shënuara, ai theksoi mbështetjen e qeverisë që progresi i UP-së në të ardhmen të jetë edhe më i madh. Sipas Kurtit, ky institucion ka rëndësi historike për vetë identitetin e shtetit tonë. 
“Universiteti i Prishtinës është pjesë shumë e rëndësishme e identitetit dhe krenarisë kombëtare, por gjithashtu është edhe një institucion, pa të cilin nuk mund të shpjegohet historia jonë e re. Pesë dekadat e fundit nuk mund të shpjegohen në aspektin kulturor, politik, shoqëror e ekonomik pa UP-në”, tha kryeministri. 


Edhe ministrja Nagavci e përgëzoi menaxhmentin për suksesin e shënuar në rangimin në Webometrics. Ajo foli edhe për projektet e ministrisë me fakultete të veçanta në kuadër të UP-së, të cilat, sipas saj, po sjellin dobi të përbashkëta për institucionet, teksa theksoi gatishmërinë e MASHTI-t për partneritet të ngushtë në avancim të arsimit të lartë.


Në këtë takim u diskutuan edhe ide të përfshirjes së UP-së në bashkëpunimin dhe integrimin ndërkombëtar, strategjitë e ndryshme për mbështetjen e vajzave në shkencë dhe për projekte të tjera shkencore e kapitale në UP.