UP-ja dhe MKRS-ja do të bashkëpunojnë në realizimin e kalendarit kulturor të MKRS-së

28 Dhjetor 2022
SHARE

Fakulteti i Arteve i Universitetit të Prishtinës do të bashkëpunojë me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në ideimin, konceptimin, realizimin, promovimin dhe zhvillimin e kalendarit kulturor të Ministrisë së Kulturës, me të gjitha datat përkatëse në bazë vjetore.

Kalendari kulturor është një program i MKRS-së, gjatë të cilit shënohen ditët më të rëndësishme kulturore. Për zhvillimin dhe zbatimin e këtyre aktiviteteve, ata do të bashkëpunojnë me studentët dhe profesorët e Fakultetit të Arteve. Për zbatimin e qëllimit të këtij memorandumi, Ministria do të i transferojë UP-së mjetet financiare në vlerë prej 150,000 euro në vit, deri në vitin 2025, për aq kohë sa do të jetë në zbatim kjo marrëveshje.

Marrëveshja u nënshkrua nga ministri i Kulturës, z. Hajrulla Çeku, rektori i UP-së, prof. Qerim Qerimi, dhe dekani i Fakultetit të Arteve, prof. Hazir Haziri.

Kjo formë e bashkëpunimit paraqet një mundësi të mirë që studentët të angazhohen në organizimin e ngjarjeve kulturore dhe të marrin pjesë në to, duke praktikuar mësimet e tyre, por njëherësh, duke shërbyer për komunitetin dhe artin.