Universiteti i Prishtinës nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi për projektin arkeologjik franko-kosovar në Kosovë

29 Korrik 2022
SHARE

Është nënshkruar marrëveshja e bashkëpunimit shkencor në mes të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës, Ambasadës së Francës në Kosovë dhe Ecole Normale Superieure – Universiteti i Parisit, lidhur me misionin arkeologjik francez dhe kosovar në Kosovë, që ka për qëllim thellimin e bashkëpunimit akademik dhe kulturor.

Rektori i UP-së, prof. dr. Naser Sahiti, me rastin e nënshkrimit të marrëveshjes, ka theksuar rëndësinë e kësaj marrëveshjeje në zhvillimin e fushës akademike dhe asaj kulturore.

Kultura dhe arkeologjia janë fusha specifike dhe thellimi i bashkëpunimit ndërinstitucional, padyshim se paraqet dobi dhe zhvillim jo vetëm në aspektin kulturor, por edhe akdemik. Andaj unë jam i lumtur që UP vazhdon të japë kontribut në këtë aspekt”, u shpreh rektori Sahiti.

Duke uruar për nënshkrimin e marrëveshjes, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, z. Hajrullah Çeku, ka përmendur ndikimin që ka kjo marrëveshje në fushën e arkeologjisë në Kosovë dhe veçanërisht për parkun e Ulpianës.

Parku i Ulpianës është i rëndësisë së veçantë, jo vetëm për MKRS-në, por edhe për të gjitha institucionet e tjera të Kosovës dhe për gjithë Kosovën në përgjithësi. Andaj jam i lumtur që përmes kësaj marrëveshjeje, arkeologjisë në Kosovë do t’i jepet trajtimi i duhur profesional”, ka thënë ministri Ceku. 

Nga ambasada e Francës në Kosovë, ambasadorja znj. Marie Christine Butel, nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje e quajti bashkëpunim të suksesshëm.

Është mirë kur shohim se angazhimi i përbashkët, finalizohet me një marrëveshje të tillë, e cila paraqet sukses të përbashkët”, ka thënë me këtë rast ambasadorja Butel.

I pranishëm ishte edhe profesor Christophe J. Goddard, i cili në emër të grupit që do t’i zhvillojë punimet në Ulpianë, tha se vazhdimi i punës së përbashkët është shumë i rëndësishëm për Kosovën, meqë Ulpiana të cilën e quajti Pompeii i dytë, është një park i një rëndësie të veçantë arkeologjike.

Kur punohet në grupe të përbëra nga diversiteti akademik dhe kulturor, e vërejmë se edhe puna është më produktive dhe më e madhe vetvetiu. Andaj vazhdimi i kësaj marrëveshjeje, përveç kontributit të përbashkët, paraqet vullnetin e institucioneve të Kosovës për bashkëpunim të mëtejmë”, ka thënë prof. Goddard.