UP-ja, universiteti nikoqir i Kupës Botërore Universitare në Hendboll 2022

22 Qershor 2022
SHARE

Studentët e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” do të kenë mundësinë që t’i dëshmojnë shkathtësitë e tyre në lojën e hendbollit në rrafshin ndërkombëtar. Kjo pasi UP-ja do të jetë pjesë e njërës prej ngjarjeve më të rëndësishme në fushën e sportit, FISU – Kupës Botërore Universitare të Hendbollit.

Lidhur me këtë event, që do të mbahet në Prishtinë, nga 11 deri më 17 korrik të këtij viti, u shpreh i lumtur rektori i UP-së, prof. dr. Naser Sahiti. Rektori Sahiti thekson se mbështetja e këtij organizimi, që po ndodh për herë të parë në Kosovë, është obligim ndaj studentëve dhe gjithë shoqërisë.
“Përveçse partner, Universiteti i Prishtinës do të jetë pjesëmarrës aktiv dhe kjo na bën të jemi të lumtur, sepse po dëshmohet që shteti ynë është konsoliduar dhe jemi në rrugë të mbarë për të qenë shtet ashtu siç na ka hije”, theksoi rektori, i cili u shpreh i lumtur që studentët e UP-së do të garojnë në këtë kompeticion. 

Ky aktivitet po organizohet nga Federata e Sporteve Universitare e Kosovës (FSUNK), Federata Ndërkombëtare e Sportit Universitar (FISU) dhe po përkrahet nga: Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit; Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit; Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, Komuna e Prishtinës, Komiteti Olimpik i Kosovës dhe Federata e Hendbollit të Kosovës.

Me këtë rast, ministri i MKRS-së, Hajrulla Çeku, tha se kjo kupë është mundësi e artë për promovim të Kosovës.
“Me këtë ngjarje dhe të tjera, që presim t’i konfirmojmë, po i tregojmë botës që shteti ynë konkurron me shumë vlera dhe se nuk jemi vetëm një popullsi e re me shumë talente në sport, art, shkencë dhe në fusha të tjera, por kemi edhe kapacitet dhe vullnet të jemi organizatorë të ngjarjeve të mëdha,” deklaroi z. Çeku.

Ndërkaq, nikoqiri i këtij eventi, drejtori ekzekutiv i kupës, z. Musa Selimi, njëherësh dekan i Fakultetit të Edukimit Fizik dhe Sportit, në konferencën për media, tha se kjo është ngjarja më e madhe që do të ndodhë në vendin tonë.  
“Ka qenë një moment emocional kur e kemi pranuar vendimin në vitin 2019 nga FISU që ne do të jemi nikoqirë të kësaj ngjarjeje të madhe botërore. Është e rëndësishme të ceket që kryeqyteti ynë do t’i presë rreth 500 studentë, përfaqësues të ekipeve nga katër kontinente të botës. Sigurisht se vlera e shtetit tonë do të shtohet në arenën ndërkombëtare, duke i pritur dhe duke promovuar shtetin tonë, kryeqytetin tonë, rininë tonë të shkëlqyeshme dhe sigurisht që e kemi një test para nesh, që bashkërisht me partnerët tanë, do t’ia dalim”, ka thënë Selimi.

Organizimin e kësaj ngjarjeje në Kosovë e përshëndeti edhe kryetari i Komunës së Prishtinës, z. Përparim Rama, i cili tha se është kënaqësi që të jemi nikoqirë të eventit që po sjell në kryeqytet pjesëmarrës nga katër kontinente. Për rëndësinë e kësaj ngjarjeje dhe rrugëtimin e saj foli edhe u.d. i presidentit të FSUNK-së, Gani Ibrahimi, ndërkaq për rolin e Federatës së Hendbollit në këtë ngjarje foli edhe presidenti i saj, z. Eugen Saraçini.

Kupa do të organizohet nën moton “Hands UP and celebrate” dhe pritet të sjellë në Kosovë rreth 20 ekipe nga vende të ndryshme të botës. UP-ja do të garojë me ekipin e tij në të dy kompeticionet: femra dhe meshkuj.