UP-ja nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me Universitetin Politeknik të Tiranës

20 Qershor 2022
SHARE

Në ambientet e Rektoratit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” sot është nënshkruar memorandum bashkëpunimi ndërmjet UP-së dhe Universitetit Politeknik të Tiranës.

Marrëveshja u nënshkrua nga prijësit e të dyja institucioneve, rektori i UP-së, prof. dr. Naser Sahiti, dhe rektori i Universitetit Politeknik të Tiranës, prof. dr. Andrea Maliqari.

Në fjalën e tij, rektori Sahiti u shpreh i lumtur për arritjen e kësaj ujdie, teksa theksoi gatishmërinë e UP-së për zhvillimin e vazhdueshëm të bashkëpunimit të ndërsjellë me Universitetin Politeknik të Tiranës.

Ndërkaq, rektori Maliqari e falënderoi universitetin nikoqir, duke theksuar që, përmes kësaj marrëveshjeje, po hapen rrugë të reja të lidhjeve të drejtpërdrejta ndërmjet fakulteteve teknike të të dy institucioneve.

Me anë të këtij memorandumi, parashihet bashkëpunimi ndërmjet të dy institucioneve në aspektin e mësimdhënies, ku të dy universitetet, nga viti akademik 2022/23, do të bëjnë këmbimin e profesorëve vizitorë, për të ofruar cikël ligjëratash. Gjithashtu, të dy universitetet do të mundësojnë qëndrimin njëditor të mësimdhënësve në fakultetin përkatës, me qëllim të planifikimit dhe kompletimit të procedurave për të aplikuar në projekte të përbashkëta.

Pas nënshkrimit, delegacioni i Universitetit Politeknik të Tiranës, i shoqëruar nga nikoqirët, vizitoi nga afër Fakultetin e Ndërtimtarisë, Fakultetin e Arkitekturës, Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike dhe Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike.