Universiteti i Prishtinës dhe Ministria e Drejtësisë nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi

19 Nëntor 2021
SHARE

Rektori i Universitetit të Prishtinës "Hasan Prishtina", në një takim të përbashkët me ministren e Drejtësisë, znj. Albulena Haxhiu, ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi, qëllimi i së cilës është përcaktimi i bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Drejtësisë, përkatësisht Shërbimit Korrektues të Kosovës (SHKK) dhe Departamentit të Punës Sociale (DPS), Fakulteti Filozofik, Universiteti i Prishtinës, për angazhimin e studentëve të DPS-së për punë praktike në institucionet korrektuese të Kosovës si dhe bashkëpunimin ndërinstitucional në realizimin e hulumtimeve të ndryshme për qëllime akademike.

Rektori Sahiti ka falënderuar ministren Haxhiu për bashkëpunimin e ofruar dhe ka shtuar se ndër prioritetet e UP-së mbetet ofrimi i shërbimeve për komunitetin, bizneset dhe institucionet. Ai poashtu theksoi se rëndësi e veçantë i është kushtuar përmirësimit të cilësisë së studimeve dhe ofrimit të mundësive për studentët që të angazhohen përmes punës praktike në institucione të ndryshme me qëllim që këta studentë të jenë më të përgatitur në të ardhmen.

Me rastin e nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje bashkëpunimi, ministrja Haxhiu ka theksuar se ministria që ajo drejton mbetet e përkushtuar në ofrimin e bashkëpunimit për çdo interes të përbashkët në të mirë të studentëve të Universitetit të Prishtinës. Teksa ka folur për angazhimet në Ministrinë e Drejtësisë, Haxhiu tha se përfshirja e të rinjve, përkatësisht studentëve të Universitetit të Prishtinës, është tejet me rëndësi si për institucionin, ashtu edhe për aftësimin dhe përgatitjen e studentëve për tregun e punës.

Ministrja Haxhiu shtoi se mbetet e angazhuar në ofrimin e mundësive për studentët e UP-së, që jo vetëm në Shërbimin Korrektues por edhe në departamentet tjera të Ministrisë së Drejtësisë, të bëjnë punë praktike dhe njëkohësisht kjo t’u njihet edhe si përvojë e punës në të ardhmen.

Për rektorin Sahiti, nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje është një fillim i mbarë i bashkëpunimit, për çka mbetën të përkushtuar që të thellojnë bashkëpunimin edhe në të ardhmen në të mirë të studentëve të UP-së dhe shoqërisë sonë.