Rektori Sahiti ua uron studentëve nisjen e vitit akademik 2021/22

15 Tetor 2021
SHARE

Të dashur studentë,

Mirë së erdhët në Universitetin e Prishtinës – në shtëpinë tuaj për vitet në vijim!

Në mars të 2020-ës, pandemia COVID-19 ka ndryshuar jetët tona. Shumë gjëra që ne kemi planifikuar, u desh të ndryshohen, e në raste të tjera edhe nuk u jetësuan fare. Megjithatë, ju arritët synimin që i keni vënë vetes dhe tashmë jeni bërë pjesë e UP-së. Është e pritshme që një pjesë e juaja të mos ketë shumë njohuri rreth Universitetit të Prishtinës dhe në pak fjalë është e pamundur t’jua prezantojmë atë që ofrojmë, por përmes këtij mesazhi, dua së paku t’ju siguroj se tashmë keni bërë zgjedhjen më të mirë për të ardhmen tuaj.

Përvojat që ju presin do t’ju zhvillojnë në aspektin personal dhe akademik, andaj unë ju inkurajoj që të nxirrni më të mirën nga to. Mësimdhënësit dhe stafi administrativ  janë këtu që t’ju ndihmojnë në rrugëtimin tuaj. Institucioni, që është baza kryesore e kërkimit shkencor të Kosovës, nga sot e tutje, është edhe universiteti juaj, ndërkaq profesorët më eminentë janë ata që do të ndihmojnë në përgatitjen tuaj. Nga tani e tutje, ju jeni pjesë e universitetit lider, i cili është i tillë, para se gjithash, falë cilësisë së lartë të studimeve, por natyrisht edhe falë përcaktimit nga kandidatët më të mirë në vend që të studiojnë në UP.

Në këtë nisje të vitit akademik, ju ftoj që ta shijoni jetën studentore në kampus sepse prania juaj u ka dhënë jetë fakulteteve tona. Por, duke pasur prioritet shëndetin tuaj, të stafit dhe të komunitetit në tërësi, ju lus që të bëni më të mirën, duke respektuar masat për mbrojtje të shëndetit, brenda dhe jashtë universitetit.

Konsultoni informacionet e publikuara nga universiteti dhe kërkoni ndihmë sa herë që ju nevojitet ajo. Rrugëtimi që keni filluar natyrisht nuk është pa sfida, por vetëm nëpërmjet tejkalimit të sfidave, rritemi dhe zhvillohemi.

Mos harroni, rrugëtimi juaj është ekskluzivisht i juaji, ndërkaq ne jemi këtu t’ju mbështesim, inkurajojmë dhe të qëndrojmë pranë jush në çdo hap gjatë këtij rrugëtimi.

Të dashur studentë të UP-së dhe në veçanti ju që sot nisni vitin e parë të studimeve në drejtimin që keni zgjedhur, urime që jeni bërë pjesë e jona dhe shumë suksese për vitin e ri akademik 2020-21!

Ju jeni UP. Ju tashmë jeni suksesi!