Shkollohuni dhe mbroni natyrën — Aplikoni për bursat e Fondacionit Gjerman të Mjedisit

10 Janar 2025
SHARE

Të nderuar studentë/e,

Fondacioni Federal Gjerman për Mjedisin (DBU) ka hapur thirrjen për bursa që lidhen me mbrojtjen e ambientit dhe ruajtjen e natyrës.

Ky fondacion, i themeluar nga Republika Federale e Gjermanisë në vitin 1989, është fondacioni më i madh mjedisor në Evropë që çdo vit jep 60 bursa për të kualifikuarit e nivelit master dhe studentët e doktoratës nga vendet e Evropës Qendrore e Lindore, ku përfshihet edhe Kosova.

Të drejtë konkurrimi për bursat mjedisore gjermane kanë të diplomuarit e nivelit master, ata që janë në prag të diplomimit dhe studentët e doktoratës të të gjitha disiplinave (shkenca natyrore/inxhinieri/shkenca sociale dhe humane).

Ata që fitojnë bursat do të zhvillojnë aftësi dhe gjejnë zgjidhje për problemet e mjedisit, ndërsa njohuritë e tyre pritet t’i zbatojnë në vendet e tyre të origjinës.

Afati i aplikimit për bursën mjedisore të DBU-së është 5 marsi i vitit 2025, ndërsa një sesion informues për to, do të zhvillohet online më 20 janar 2025 në orën 17:00.

Deri tash për të diplomuarit e nivelit master të universiteteve kosovare janë ndarë 29 bursa të Fondacionit Federal Gjerman për Mjedisin (DBU).

Më shumë informata për bursat mjedisore gjermane, mund të gjeni këtu.