Rektori Qerimi ia ndan mirënjohjen “Friend of UP” z. Carl Hammerdorfer

27 Mars 2023
SHARE

Në ambientet e rektoratit, rektori i Universitetit të Prishtinës. prof. dr. Qerim Qerimi, priti në takim z. Carl Hammerdorfer, udhëheqësin e projektit më të madh nga paslufta, projekt ky në të cilin është përfshirë dhe UP-ja. Z. Hammerdorfer ka udhëhequr projektin TLP (Transformation Leadership Program), projekt ky i financuar nga USAID, MASHTI dhe World Learning.

Duke marrë parasysh përmasat e projektit dhe suksesin e implementimit të tij, rektori Qerimi ia ndau mirënjohjen si ”Friend of UP” z. Carl Hammerdorfer, për të shprehur mirënjohjen dhe falënderimin që universiteti ka për z. Hammerdorfer. Ndër të tjerash, në këtë takim u diskutua rreth thellimit të bashkëpunimit ndërmjet UP-së dhe institucioneve amerikane.

Universiteti i Prishtinës përfitimin nga ky projekt e ka pasur shumë dimensional. Krijimi i qendrave të reja si Zyra për Kërkime dhe Projekte të Sponsorizuara (ZKPS ), Qendra për Përsosmëri në Mësimdhënie (QPM), Qendra për Energji dhe Qëndrueshmëri (QEQ), bursa për studime master në SHBA për më shumë se 300 studentë, trajnimi i stafit në SHBA, rregullore të ndryshme për funksionalizim të punës kërkimore-shkencore, menaxhim të financave, si dhe burimeve njerëzore.

E pranishme në këtë takim ishte edhe prorektorja për bashkëpunim ndërkombëtar, prof. dr. Arta Basha-Jakupi, dhe përfaqësuesi nga ZKPS-ja, Fitim Seferi.