Dr. Zamira Hyseni Duraku si Visiting Scholar në Universitetin e Iowa-s

13 Mars 2023
SHARE

Dr. Zamira Hyseni Duraku, është Profesoreshë e Asocuar në Departamentin e Psikologjisë, Fakulteti Filozofik, Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”. Në  këtë vit akademik ajo është e angazhuar si Visiting Scholar në Universitetin e Iowa-s, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në kuadër të këtij angazhimi të filluar nga muaji Tetor i vitit 2022, Prof. Asoc. Dr. Hyseni Duraku ka hulumtuar për rolin dhe llojet e shërbimeve të University Counseling Services në mbështetje të mirëqenies mendore dhe përformancës akademike të studentëve. Krahas kësaj, Prof. Hyseni Duraku ka hulumtuar për praktikat e Insitucioneve të Edukimit të Lartë në botë dhe SHBA, në adresimin e çështjeve të shëndetit mendor të studentëve. Pjesë e studimit të saj ishte të identifikoi edhe barrierat që studentët e Universitetit të Prishtinës kanë për të kërkuar ndihmë psikologjike. Gjithashtu, të eksploroi përspektivën e tyre për rëndësinë e shërbimeve të këshillimit psikologjik dhe akademik të Universitetit.

Deri më tani, me përkrahjen profesionale të profesionistëve të shëndetit mendor në University Counseling Services të Universitetin e Iowa-s ajo gjithashtu ka arritur të avancojë nivelin dhe llojllojshmërinë e shërbimeve mbështetëse për studentët në Departamentin e Psikologjisë të Universitetit të Prishtinës, duke zhvilluar programe trajnuese dhe duke trajnuar studentët dhe psikologët e diplomuar nga ky department për të realizuar punëtori  me kolegët e tyre të rinjë. Këto trajnime kanë për qëllim avancimin e shkathtësive të të nxënit, menaxhimin e emocioneve dhe parandalimin e ankthit. Për më shumë, përgjatë kësaj periudhe ajo ka mbikëqyrur punën e psikologëve dhe studentëve vullnetarë të angazhuar në kuadër të këtyre programeve mbështetëse në realizimin e grupeve të përkrahjes “studentët për studentët”. Në kuadër të këtyre grupeve, studentët trajtojnë shqetësimet e ndryshme personale dhe akademike, me ndihmën e njeri-tjetrit.

Në muajt në vazhdim ajo do të kontribuojë në realizimin e një serie të ligjeratave vetëdijësuese për studentët e Universitetit të Prishtinës, në kuadër të së cilave bashkë me ekspertë të shëndetit mendor nga Universiteteti i Iowas do të trajtojnë tema për stigmën ndaj shëndetit mendor, rolin e programeve parandaluese dhe rolin e shërbimeve mbështetëse. Ligjeratat do të jenë të hapura për të gjithë studentët e interesuar për pjesëmarrje.

Prof. Hyseni Duraku ka potencuar se përvoja në Universitetin e Iowas, bashkëpunimi me profesionistët e shëndetit mendor dhe profesorët në këtë universitet e ka bërë të përfitoi jashtëzakonisht shumë, në aspektin profesional, shkencor dhe personal.

Ndërsa, duke u bazuar në gjetjet e studimit të saj të realizuar në kuadër të këtij angazhimi, Prof. Hyseni Duraku vlerëson se duhet parë si prioritet adaptimi i mëtutjeshëm i bazës ligjore, politikave arsimore dhe avancimi i çasjes së Universitetit ndaj studentëve, me synim mbështetjen e studentit si tërësi. Madje, duke ju referuar praktikave të tjera në botë si dhe përspektivës së studentëve pjesëmarrës në studimin e saj ajo thekson se krijimi i Shërbimeve Këshilluese Psikologjike dhe Akademike do të sjellte përfitime të shumta për studentët, edukimin dhe vendin. Këto shërbime do të parandalonin përkeqësimin e shëndetit mendor, mbronin mirëqenien e studentëve, avanconin shkathtësitë e të nxënit, përmirësonin vetëdijën për shëndetin mendor, do ti bënin studentët të ndiheshin të mbështetur nga Universiteti dhe më me lehtësi të tejkalonin sfidat personale dhe akademike, të cilat raportohet të jenë të shumta. Madje, shërbime të tilla, sipas Prof. Hyseni Duraku, do të kontribuonin në avancimin e mëtutjeshëm të cilësisë së arsimit, dhe plotësimin e njërit nga kritëret për akredimin e programeve të studimeve në Universitetin e Prishtinës.

 

Dr. Russ Ganim, Associate Provost dhe Dean of International Programs në Universitetin e Iowa’s  potencon se Dr. Hyseni Duraku, në Iowa, ka shfrytëzuar plotësisht kohën e saj për të avancuar kërkimin e saj në shërbimet e shëndetit mendor në arsimin e lartë. Gjetjet nga të dhënat që ajo ka mbledhur, së bashku me implikimet praktike për akterët përkatës të arsimit dhe shëndetësisë, tani janë në formë të artikullit shkencor, dhe pritet të publikohen së shpejti. Krahas realizimit të hulumtimit të saj, Dr. Hyseni Duraku ka shpenzuar kohë të konsiderueshme në avancimin e shërbimeve mbështetëse të studentëve të Departamentit të Psikologjisë, në Universitetin e Prishtinës, duke mbikëqyrur zbatimin e programit mbështetëse  dhe duke krijuar mundësi për përmirësimin e aftësive profesionale të psikologëve të rinjë të angazhuar në zbatimin e këtyre shërbimeve. Synimi i Dr. Hysenit në ndërmarrjen e këtyre aktiviteteve është përmirësimi i shërbimeve të shëndetit mendor në institucionet kosovare të arsimit të lartë duke ndërtuar bashkëpunime të forta kërkimore në SHBA që do të çojnë në projekte të mëtejshme partneriteti.

 

 

 

 

 

Ndërsa, Dr. Holly A. Davis,  Zëvendës Drejtoreshë e Shërbimeve Klinike në University Counseling Services, në Universitetin e Iowas, e cila është një nga bashkëpunëtoret e prof. Hyseni Duraku, ka vlerësuar që bashkëpunimi i deritanishëm me Prof. Dr. Hyseni Duraku ka qenë kuptimplotë dhe shpërblyes. Ndërlidhja e përvojës dhe “mësimet e mësuara” nga shërbimet e shëndetit mendor në Universitetet në Amerikë, duke shqyrtuar mundësi se si këto mund të zbatohen në zhvillimin e opsioneve të mbështetjes së shëndetit mendor të studentëve në Universitetin e Prishtinës në Kosovë, ilustron vlerën e bashkëpunimit global. Puna e deritanishme e prof. Hyseni Duraku na ka ndihmuar të avancojmë njohuritë dhe kuptojmë për shërbimet ekzistuese, stigmën ndaj shëndetit mendor në Kosovë dhe shtetet me kulturë të ngjajshme dhe të na mundësojë që ta mbështesim në përpjekjes e saj në ndërtimin e burimeve të reja për studentët në Kosovë dhe më gjërë.

Universitet i Prishtinës i uron prof. Hyseni Duraku suksese në realizimin me sukses të angazhimit të saj kërkimor dhe profesional në fushën e shërbimeve këshilluese për studentët dhe e falenderon për kontributin shkencor që të mbështesë Universitetin në avancimin e mbështetjes ndaj studentëve. Gjithashtu i është mirënjohës Universitetit të Iowa-s për bashkëpunimin dhe ofrimin e mundësive për avancimin kërkimor dhe profesional të profesorëve nga Universiteti i Prishtinës.

-------

Të dhëna për veprimtarinë kërkimore të Prof. Hyseni Duraku

Puna kërkimore e udhëhequr nga Prof. Asoc. Dr. Hyseni Duraku është botuar në revista shkencore ndërkombëtare të shtëpive botuese të njohura si Springer dhe Sage & Routledge. Krahas publikimeve të shumta të artikujve shkencorë, veprimtaria e saj shkencore është e botuar edhe në libra dhe monografi, Në vitin 2022, ajo është shpërblyer me mirënjohje nga Universiteti i Prishtinës për “Promovim të kërkimeve shkencore të Universitetit të Prishtinës në arenën ndërkombëtare”. Interesimet e saj kërkimore përfshijnë faktorët që ndikojnë në shëndetin mendor dhe përformancën akademike të nxënësve të nivelit shkollor dhe të studentëve universitarë. Fokusi i studimeve të Prof. Hyseni Duraku përfshin gjithashtu çështje të tjera që ndërveprojnë me cilësinë e sistemeve arsimore, përfshirë faktorët me ndikim në punën e punonjësve arsimorë dhe angazhimin e prindërve në aktivitetet mësimore të fëmijëve të tyre - të të gjitha cikleve parauniversitare. Prof. Hyseni-Duraku krahas punës shkencore dhe mësimdhënies, njihet edhe për kontributin e saj dy vjecar në udhëheqjen e Departamentit të Psikologjisë, ku përvec tjerash ka arritur që  bashkë me kolegët nga ky departament të avancojë shërbimet mbështetëse për studentët dhe vlerësimin e efikasitetit të tyre.

Për më shumë rreth punës shkencore të publikuar nga Prof. Hyseni Duraku, mund të lexoni në këtë link: https://www.researchgate.net/profile/Zamira-Hyseni-Duraku-2

Për të mësuar më shumë rreth programeve mbështetësë për studentët inkurajoheni të vizitoni uebfaqen e Departamentit të Psikologjisë : https://sites.google.com/uni-pr.edu/psychology/for-students/support-services  ose të përcjellni aktivitet e programeve mbështetëse në Instagram, programet_mbeshtese

Për më shumë rreth Universitetit të Iowas dhe University Counseling Services ndiqni linkun në vijim: https://counseling.uiowa.edu/