Rektori

Prof. Dr. Marjan Dema

Curriculum Vitae 
Tel.:+381 38 244 183
Mail: [email protected]

Të dashur studentë,
Të nderuar kolegë,
Qytetarë të respektuar,

Kam kënaqësinë që në cilësinë e Rektorit të Universitetit të Prishtinës, në emër të menaxhmentit, stafit akademik dhe studentëve të tij, të iu uroj mirëseardhje në platformën elektronike të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” është institucioni më i madh i arsimit të lartë në vendin tonë, i cili që nga themelimi ka bartë mbi vete barrën kryesore të edukimit dhe zhvillimit të shoqërisë kosovare. Në UP vijojnë studimet më shumë se gjysma e numrit të përgjithshëm të studentëve të Kosovës, por përkundër vështirësive, ekzistojnë kapacitetet solide për zhvillim. Si rrjedhojë, përgjegjësia e UP-së nuk përkufizohet vetëm tek krijimi i kushteve cilësore për studim të fëmijëve tanë, por zgjerohet edhe në përgatitjen dhe zhvillimin e kuadrove që do t’i shërbejnë ngritjes së ekonomisë dhe nivelit të jetesës në vendin tonë në zhvillim.

Ky Universitet nuk simbolizon vetëm folenë e dijes dhe arsimimit. Universiteti i Prishtinës për secilin nga ne, përfaqëson vlerat tona kombëtare, qëndresën dhe fuqinë studentore, vetë historinë e ekzistencës tonë. E kaluara dhe e ardhmja e Kosovës lidhen me këtë institucion. Rrjedhimisht, me bindje ju them që Universiteti ynë, si Universitet lider në vend, u ofron të gjithë qytetarëve shërbime dhe mundësi studimi për t’u kualifikuar dhe përgatitur për një të ardhme më të mirë për gjithë shoqërinë.

Jam shumë i nderuar që përfaqësoj këtë tempull të dijes, djep të arsimimit kosovar e mbarëkombëtar, përkundër faktit që të qenurit në krye të këtij institucioni është sfidë mbi të gjitha sfidat akademike, duke pasur gjithmonë mbi supe barrën për t’i përmbushur pritshmeritë e studentëve dhe të mbarë shoqërisë kosovare.

Menaxhmenti i Universitetit të Prishtinës, në këtë rrugëtim, është shumë i përkushtuar për të arritur rezultate të krahasueshme në nivel ndërkombëtar, si dhe të kontribuojë në zhvillimin socio-ekonomik të Republikës së Kosovës.

 

Me respekt,
Prof. Dr. Marjan DEMA, Rektor