Studenti i UP-së shpallet Kampion i Karatesë në EUSA2017
Alvin Karaqi, student i Fakultetit të Mjekësisë së Përgjithshme në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, ka rrëmbyer titullin e Kampionit Universitar të Karatesë, duke shënuar kështu histori në sportin universitar të Kosovës.

Kampionati Evropian i Karatesë për Universitete është zhvilluar në Coimbra të Portugalisë, në periudhën 25 – 27 korrik 2017.

Karaqi në këtë Kampionat ka përfaqësuar Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, duke shënuar njëherësh edhe përfaqësimin e parë të UP-së në këtë Kampionat Universitar me këtë sukses të jashtëzakonshëm.

Studenti i UP-së për të arritur deri tek Medalja e Artë mposhti garuesit nga Mali i Zi, Gjermania, Franca, Turqia, duke e finalizuar me mposhtjen e garuesit nga Hungaria për të rrëmbyer pozitën e parë në këtë  kompeticion.

Ky Kampionat është një nga 19 Kampionatet Evropiane të Universiteteve 2017 (EUC 2017), ku 19 sporte të ndryshme nxisin konkurrencën për të gjetur atletët dhe ekipet më të mira evropiane në sportet universitare.