Nxënësit kosovarë, të udhëhequr nga profesorë të UP-së, shënojnë sukses të madh në Olimpiadën Ndërkombëtare të Matematikës
Ekipi i Kosovës ka fituar një medalje të bronztë dhe dy medalje nderi në Olimpiadën Ndërkombëtare të Matematikës, të mbajtur në Rio De Janiero të Brazilit. Skuadra kosovare, pjesëmarrëse në këtë olimpiadë, këtë vit ishte e përbërë nga pesë nxënës: Shend Zhjeqi, Ardita Berisha, Viktor Ahmeti, Alban Elezi dhe Flutura Shabani. Kjo skuadër është udhëhequr nga prorektori për kërkime shkencore në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, prof. dr. Faton Berisha dhe MSc. Eliot Bytyçi, asistent në Departamentin e Matematikës të Universiteti të Prishtinës.

Ishte Shend Zhjeqi, nxënësi i cili rrëmbeu Medaljen e Bronztë në këtë garë prestigjioze ndërkombëtare të matematikës. Garuesi nga Kosova mori gjithsej 18 pikë, madje ishte vetëm një pikë larg për të fituar Medaljen e Argjendtë. Ndërkaq, nxënësit Ardita Berisha dhe Viktor Ahmeti arritën të marrin mirënjohje nderi në këtë kompeticion.

Prorektori për kërkimore shkencore në Universitetin e Prishtinës, njëherësh udhëheqës i kësaj skuadre, e konsideroi këtë arritje të nxënësve kosovarë si një sukses të jashtëzakonshëm, duke theksuar që olimpiada e sivjetme ishte ndër garat më të vështira deri me tani.

Sukseset e arritura po e shënojnë dalëngadalë Kosovën në hartën e vendeve me nxënës kulminantë në fushën e matematikës. Shpresojmë që këto suksese do të kenë rritje të mëtejme në vitet e ardhshme” tha prorektori Berisha.

Skuadra e Kosovës, e dërguar nga Shoqata e Matematikanëve të Kosovës, pranë Departamentit të Matematikës të Universitetit të Prishtinës, ka marrë pjesë në këtë kompeticion të rëndësishëm ndërkombëtar për të gjashtën herë. Para nisjes për në Brazil, skuadra është përzgjedhur në një sistem garash të nivelit kombëtar, të organizuar nga Shoqata e Matematikanëve të Kosovës. Pastaj me nxënësit e përzgjedhur kanë punuar në fazat përgatitore profesorë nga Universiteti i Prishtinës dhe ish-garues kosovarë në olimpiadat e mëparshme.

Olimpiada Ndërkombëtare e Matematikës është gara më prestigjioze dhe më e vjetër nga olimpiadat ndërkombëtare shkencore. Olimpiada e parë është mbajtur në vitin 1959, në Rumani.