Konkurrencë e lartë në Fakultetin e Mjekësisë, Rektori Dema u uron sukses kandidatëve
Mbi 1 mijë e 800 ish-nxënës të shkollave të mesme kanë aplikuar për statusin e studentit në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”. Por, vetëm 441 prej tyre do të gëzohen nga njoftimi për rezultatet e provimit pranues në këtë njësi akademike të UP-së.

I pari i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, prof. dr. Marjan Dema, gjatë ditës së sotme vizitoi kandidatët për studentë dhe stafin akademikë e administrativë të këtij Fakulteti, të cilët po marrin pjesë në realizimin e tij.

Rektori gjatë vizitës ishte i shoqëruar nga prorektorja për marrëdhënie ndërkombëtare në UP, Teuta Pustina dhe këshilltari i tij, Rrustem Qehaja.

Pasi dekanja e këtij fakulteti e informoi menaxhmentin e lartë të UP-së për rrjedhën e procesit të provimit pranues, duke theksuar që të gjitha përgatitjet kanë shkuar ashtu siç janë planifikuar, Rektori vizitoi edhe kandidatët për studentë në sallat ku ata u janë nënshtruar provimit. Dema u uroi sukses të gjithë kandidatëve, si dhe i siguroi ata për korrektësi në vlerësim, duke mos harruar të përmend që këta studentë të ardhshëm kanë bërë zgjedhjen e duhur duke zgjedhur të studiojnë në Universitetin më të mirë në vend.

Rektori Dema ne dy ditët paraprake vizitoi edhe njësitë e tjera akademike ku janë mbajtur provimet për pranimin e studentëve në vitin e parë të studimeve themelore – bachelor, në vitin akademik 2017/2018.