Rektori Dema me bashkëpunëtorë, viziton njësitë akademike ku po mbahen provimet pranuese për studentë të rinj
Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, prof. dr. Marjan Dema edhe sot vazhdoi vizitën në njësitë akademike ku po mbahen provimet pranuese për studentë të rinj. Rektori Dema gjatë vizitës u shoqërua nga prorektorja për buxhet dhe financa, Myrvete Badivuku, prorektorja për marrëdhënie ndërkombëtare, Teuta Pustina, si dhe këshilltari i tij, Rrustem Qehaja.

Qëllimi i kësaj vizite ishte informimi lidhur me rrjedhën e procesit të provimeve pranuese në këto njësi akademike të Universitetit të Prishtinës. Dema u uroi suksese kandidatëve dhe i siguroi për korrektësi në vlerësim, duke u premtuar që në këtë konkurs do të përzgjidhen më të mirët. I pari i UP-së falënderoi kandidatët që kanë zgjedhë për të studiuar pikërisht në Universitetin e Prishtinës, njëherësh Universitetin më të madh dhe më të rëndësishëm në vend.

Menaxhmenti i UP-së, gjatë kësaj vizite, u bë dëshmitar i procedurës së provimit pranues, në mes të tjerëve, edhe në Fakultetit e Edukimit Fizik dhe Sportit. Me këtë rast, njëri nga kandidatët për studentë në këtë njësi akademike dëshmoi aftësitë e tij në sport, duke bindur edhe të pranishmit e tjerë se ai e meriton të jetë pjesë e këtij Universiteti.

Përveç në Fakultetin e Edukimit Fizik dhe Sportit, Rektori Dema me ekipin e tij, gjatë ditës së sotme pa nga afër mbarëvajtjen e procesit të provimit pranues edhe në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike, Fakultetin e Shkencave Matematiko – Natyrore dhe në Fakultetin Ekonomik.