Menaxhmenti i UP-së viziton njësitë akademike ku po mbahet provimi pranues për studentë të rinj, u uron sukses kandidatëve
Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Prof. Dr. Marjan Dema vizitoi njësitë akademike ku po mbahen provimet pranuese për kandidatët për studentë të rinj të UP-së.

Rektori Dema në këto vizita ishte i shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tij: Naser Sahiti – prorektor për mësimdhënie dhe çështje të studentëve, Myrvete Badivuku - prorektore për buxhet dhe financa, Teuta Pustina - prorektore për marrëdhënie ndërkombëtare, Hysen Bytyqi - prorektor për zhvillim dhe cilësi në Universitetin e Prishtinës, si dhe sekretari i UP-së, Esat Kelmendi.

Dema u shpreh i lumtur për realizimin me sukses të përgatitjeve për këtë ditë, të cilën ai e konsideroi si ditë shumë të rëndësishme për Universitetin e Prishtinës, për kandidatët për studentë të UP-së, si dhe për mbarë vendin.

“Ju keni konkurruar që të bëheni pjesë e Universitetit më të mirë në vend, ashtu edhe ne do të zgjedhim më të mirët për të qenë pjesë e këtij institucioni” tha ndër të tjerash Dema.

Dekanët e njësive akademike dhe profesorët mbikëqyrës e informuan menaxhmentin e lartë të UP-së për rrjedhën e provimit pranues. Sipas tyre, gjithçka është duke shkuar ashtu siç është planifikuar dhe nuk ka ndonjë pakënaqësi nga ana e kandiatëve për studentë.

Rektori Dema me bashkëpunëtorët e tij gjatë ditës së sotme vizituan Fakultetin e Edukimit, Fakultetin Juridik, atë të Arteve, Filologjikun dhe Filozofikun. Gjatë ditës së nesërme, po ashtu, planifikohen të bëhen vizita në njësitë e tjera akademike ku do të mbahen provimet pranuese.