Shpërblehen me mirënjohje studentët e Fakultetit të Edukimit të UP-së, pjesëmarrës në projekte ndërkombëtare
Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, prof. dr. Marjan Dema shpërbleu me mirënjohje studentët e Fakultetit të Edukimit të Universitetit të Prishtinës, për përfaqësim dinjitoz dhe suksese të treguara në projekte të ndryshme shkencore ndërkombëtare.

Rektori Dema i përgëzoi studentët për sukseset e tyre dhe u premtoi mbështetjen e tij dhe të menaxhmentit të UP-së. “Ndjej një kënaqësi të veçantë çdo herë kur studentët e UP-së marrin pjesë në gara të rëndësisë ndërkombëtare. Kjo kënaqësi dyfishohet kur ata arrijnë të shënojnë suksese në të tilla evente, ashtu siç keni bere ju në disa prej tyre”.

Rektori Dema tha që suksesi i tyre është sukses i të gjithëve. “Rëndësia e projekteve të tilla nuk peshon vetëm nga aspekti profesional dhe shkencor, por vlerat e tyre medoemos ndrisin edhe vlerat tona morale dhe kombëtare” shtoi ai.

Në anën tjetër, profesori në Fakultetin e Edukimit, Begzad Baliu,  njëherësh udhëheqës i studentëve në këto projekte, lëvdoi studentët për punën dhe angazhimin e tyre, duke shpjeguar me pak fjalë punën dhe kontributin e secilit prej tyre. Profesori Baliu u uroi sukses studentëve, si dhe falënderoi Rektorin Dema, menaxhmentin e UP-së dhe dekanin e Fakultetit të Edukimit, prof. Ethem Çekun, për mbështetjen e dhënë.

Studentët u shpërblyen për pjesëmarrje në projektet ndërkombëtare: në projektin “Kosova e pavarur në sytë e brezit të ri” me studentet e Universitetit të Varshaves; projektin  “Eposi në pesë shtete të Ballkanit” dhe në nënprojektin “Eposi në ndërdijen kombëtare”, i cili në vitin 2016 mori çmimin special Europa Nostra; në projektin “Gjuha e teksteve të historisë në Kosovë” (projekt i UP-së dhe Universitetit të Indianes, SHBA),  “Struktura letrare dhe didaktike e “Librit të leximit” në Kosovë” (projekt në bashkëpunim me Universitetin e Lubjanës), e të tjera.

Studentët e shpërblyer me mirënjohje janë: Arben Mehmeti, Kosovar Roshaj, Enis Miftari, Arlind Mehana, Arietë Bajrami, Egzon Karaçica, Egzona Kunushevci, Fitore Zhegrova, si dhe profesori, njëherësh udhëheqësi i tyre, prof. dr. Begzad Baliu.