Përfundon “aventura fantastike akademike dhe kulturore” e Universitetit Veror Ndërkombëtar të Prishtinës
Të premten mbrëma rreth 350 studentë dhe 22 profesorë vendorë e ndërkombëtarë përfunduan aventurën e mrekullueshme të Universitetit Veror Ndërkombëtar të Prishtinës. Me ceremoni solemne u shënua fundi i edicionit të 17-të të këtij programi të suksesshëm ndërkombëtar, të organizuar nga Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Rektori Marjan Dema falënderoi të gjithë pjesëmarrësit për gjallërinë që i falën Universitetit të Prishtinës gjatë kësaj periudhe kohore.

Rektori iu drejtua studentëve me këto fjalë: “Pjesëmarrja juaj në këtë eveniment ndërkombëtar me njëmbëdhjetë kurse nga disiplina të ndryshme të përgatitura enkas për ju, është rezultat i vendosmërisë suaj për njohuri, i etjes dhe këmbëngulës suaj për zhvillim si liderë të rinj. Jam i bindur se ju do të vazhdoni rrugëtimin tuaj për tu bërë lider të ardhshëm të fushave dhe profesioneve tuaja, e që do të sillni ndryshime pozitive në shoqëritë dhe shtetet tuaja, për më tepër, do të sillni ndryshime në mbarë botën, duke nxitur paqen dhe bashkëpunimin.”

Dema falënderoi edhe profesorët, të cilët në këtë kohë kanë privuar vetën nga pushimet dhe kanë zgjedhur të udhëtojnë për në Kosovë për të kaluar rreth dy javë kohë në edukimin e qindra studentëve nga vende të ndryshme të botës.

Profesorët ndërkombëtarë patën rastin që të tregojnë përshtypjet e tyre për këtë edicion të UVP-së. Ata falënderuan Universitetin e Prishtinës për këtë mundësi dhe lëvduan studentët për përkushtimin e treguar.

Profesori francez, Jean-Luc Lamboley e konsideroi UVP-në aventurë fantastike, jo vetëm akademike, por edhe njerëzore dhe kulturore. Ai tha që pikërisht madhështia e UVP-së ka bërë që të jetë pjesë e këtij edicioni për të shtatën herë me radhë.

Fjalë të mira për UVP-në tha edhe profesoresha rumune Miruna TRONCOTĂ, e cila ligjëroi kursin “Sfidat e evropianizimit: Rruga e Kosovës drejt Bashkimit Evropian”. Ajo tha që është e sigurt që pjesa dërrmuese e studentëve të këtij kursi do të arrijnë suksesshëm të menaxhojnë të ardhmen e Kosovës drejt BE-së.

Ndërkaq, profesoresha nga Turqia, Basak Alpin, tha që UVP ka kaluar pritjet e saj. “Nëse dëshironi të mundni injorancën, lexoni shumë. Nëse dëshironi të mundni racizmin, udhëtoni shumë. Kjo shkollë verore i ka kombinuar këto dy dimensione. Ishte e mrekullueshme. Faleminderit!” u shpreh ajo.

Ceremonia u mbyll me tingujt e muzikës të performuar nga grupi i studentëve të kursit “Opera Studio”, nën udhëheqjen e dirigjentit dhe profesorit Simon Despalj dhe profesoreshës Merita Juniku.