UP nënshkruan marrëveshje me IPKO-n për instalimin e stacionit agrologjik në hapësirat e Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë
Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, gjegjësisht Fakulteti i Bujqësisë dhe Veterinarisë, ka nënshkruar marrëveshje të bashkëpunimit me kompaninë IPKO, përmes së cilës është mundësuar instalimi i stacionit agrologjik në hapësirat e këtij Fakulteti.

Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, prof. dr. Marjan Dema theksoi se marrëveshje të tilla tregojnë se UP është i përkushtuar për të ofruar kushte sa më të mira që studentët të zhvillohen në aspektin intelektual dhe të kenë mundësi që dijen e tyre ta tregojnë edhe në praktikë.
“Çdo investim në dije është investim dhe zhvillim në mirëqenie të përgjithshme. Uroj që bashkëpunime të tilla me kompaninë IPKO të vazhdojnë edhe më tutje dhe këtë shembull ta ndjekin edhe kompanitë e tjera” ka thënë Dema.

Drejtori ekzekutiv i kompanisë IPKO, z. Robert Erzin falënderoi UP-në për bashkëpunimin, ndërkaq shtoi se studentët kanë nevojë për mbështetje të tilla edhe në vazhdimësi.

Me anë të kësaj marrëveshjeje është siguruar edhe softueri përkatës, i cili bënë grumbullimin e të dhënave. Sipas profesorit të Departamentit të Pemëtarisë dhe Vreshtarisë, Vahid Avdiu, ky softuer u ndihmon studentëve që, përveç matjeve, të kenë qasje edhe në statistika për të cilat u është dashur të paguajnë institucionet shtetërore. Kjo u ndihmon atyre në zhvillimin pa pengesa të hulumtimeve të tyre shkencore, problem me të cilin ata janë ballafaquar shumë herë deri më tani.

Përndryshe, kjo aparaturë e quajtur “Spektrum”, e cila do të jetë pesë vjet në shfrytëzim falas për studentët, në mënyrë të detajuar do të masë parametrat agrarë, si: pika e vesës, dendësia e reshjeve, lagështia e fletëve, temperatura e ajrit e të tjera.