PËRFUNDOI KONFERENCA E TETË NDËRKOMBËTARE E KETNET-IT (Kosovo English Language Teachers Association) dhe DEPARTAMENTIT TË GJUHËS DHE LETËRSISË ANGLEZE E UP-SË
Më 1-2 qershor 2018 në hapësirat e Fakultetit të Filologjisë u mbajtë Konferenca e tetë ndërkombëtare e mësimdhënësve të gjuhës angleze organizuar nga KETNET dhe Departamenti i Gjuhës dhe Letërsisë Angleze e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Kjo konferencë vjetore e sponsorizuar nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë i mblodhi folësit dhe prezentuesit ndërkombëtarë dhe vendorë, mësimdhënësit e nivelit universitar dhe parauniversitar, si dhe mësimdhënësit e ardhshëm – studentët e gjuhës dhe letërsisë angleze nga të gjitha viset e Kosovës.

Përveç mësimdhënësve, në konferencë u prezantuan edhe produktet e projekteve të studentëve të Departamentit të Gjuhës angleze, të cilët kapluan një gamë të gjerë temash që ndërlidhen me aspektet kulturore të trevës sonë, por edhe me një vështrim drejt të ardhmes së vendit tonë.

Final agenda (link)

Me këtë rast u bë edhe përmbyllja e suksesshme e projektit të përbashkët të KETNET-it dhe Departamentit të Anglishtes “Through English towards Economic Growth” e financuar në tërësi nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kosovë. Përfitues të drejtpërdrejtë të projektit janë në radhë të parë Departamenti i Anglishtes, stafi dhe studentët e tij, por edhe stafi i UP-së, si dhe mësimdhënësit e gjuhës angleze në Prishtinë dhe Prizren pasi që me projekt janë ndërthurë këto komponente:

- Pajisja e sallave të Departamentit tonë me mjete bashkëkohore teknologjike;
- Begatimi i bibliotekës së Departamentit me tituj akademik nga fusha e shkathtësive të hulumtimit dhe shkrimit akademik;
- Kursi i Anglishtes për qëllime hulumtimi dhe publikimi për stafin e UP-së;
- Trajnimi për mësimdhënësit aktual dhe të ardhshëm të anglishtes për përdorimin e teknologjisë bashkëkohore për qëllime të mësimdhënies.