Nënshkruhet Marrëveshja e Bashkëpunimit ndërmjet UP-së dhe Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale
Sot, në rektoratin e Universiteti të Prishtinës “Hasan Prishtina” u nënshkrua Marrëveshja e Bashkëpunimit ndërmjet UP-së dhe Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale për angazhimin në punë praktike, të 200 studentëve,  për një periudhë​ tre mujore.

Të pranishëm në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes, nga radhët e qeverisë ishin zëvendëskryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, z. Fatmir Limaj, Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale z. Skender Reçica dhe Ministri i Arsimit të Shkencës dhe Teknologjisë, z. Shyqiri Bytyqi, kurse nga UP-ja Rektori Prof. Dr. Rektori Marjan Dema me stafin e tij. 

Rektori Dema  në fjalën e tij hyrëse e cilësoi shumë të rëndësishme nënshkrimin e kësaj Marrëveshje për studentët e UP-së. Më tej Rektori Dema shtoj “Kjo është mundësi e shkëlqyer për përgatitjen e studentëve që krahas dijeve teorike, të bëhen pjesë e zhvillimit të Kosovës edhe përmes angazhimit në punë praktike dhe t’i përgjigjen kërkesave dhe nevojave të tregut të punës”.

Zëvendëskryeministri Limaj në fjalën e tij përgëzoj Rektorin për punën e gjertanishme dhe ftoj për bashkërendim të përpjekjeve për ngritjen e mëtejme të nivelit të studimeve në UP dhe në përgjithësi në Arsimin e Kosovës. Z. Limaj u shpreh që ai çmon shumë punën e UP-së, si në të kaluarën, por edhe tash, duke potencuar se sfidat më e rëndë e universitetit, është në përgatitjen e kuadrove për shtet ndërtimin e Kosovës.

Ndërsa Ministri Reçica u shpreh i lumtur që në kuadër të bashkëpunimit të mirë me UP-në, sot po konkretizojnë këtë marrëveshje. Ai potencoj që “Në bashkëpunim me Universitetin e Prishtinës, Agjencinë e Punësimit dhe Qendrat e Aftësimit Profesional, studentëve që kanë përfituar nga kjo marrëveshje ju ofrohet një mundësi e mirë që të demonstrojnë edhe në praktikë pjesën teorike të mësuar gjatë studimeve. Bashkëpunimi ynë do të vazhdojë edhe në të ardhmen, jo vetëm si një premtim, por edhe në projekte konkrete”. Sipas kësaj Marrëveshje , studentët dhe të sapo diplomuarit do te kenë të drejtë të realizojnë  praktikën në institucionet publike, ndërmarrjet publike, private si dhe OJQ-të.

Ministri i Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë  z. Shyqiri Bytyqi premtoi se në të ardhmen e afërt, një marrëveshje e tillë me UP-në do të nënshkruhet edhe nga  MASHT dhe në këtë mënyrë ata do të vazhdojnë të mbështesin studentët në fitimin e njohurive praktike.