Nënshkruhet Marrëveshja e Mirëkuptimit ndërmjet Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe Agjencisë së Statistikave të Kosovës
Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” ka nënshkruar Marrëveshje Mirëkuptim më Agjencinë e Statistikave të Kosovës, ku parashihet bashkëpunim i ndërsjellë ndërmjet këtyre dy institucioneve të Republikës së Kosovës.

Nënshkrimi këtij Memorandumi është bërë nga Rektori i UPHP-së, prof. dr. Marjan Dema dhe kryeshefi ekzekutiv i ASK-së, z. Isa Krasniqi.

Me rastin e nënshkrimit të kësaj Marrëveshjeje, Rektori i Universitetit të Prishtinës “ Hasan Prishtina” prof. dr. Marjan Dema, foli për vlerën e informacionit në të gjitha fushat. Ai tha se “pikërisht është statistika ajo që i mbledh të gjitha ato informacione”.

“Ne jemi shumë të interesuar të japim kontributin tonë në ndryshime pozitive, jo vetëm në Universitetin e Prishtinës, por edhe në komunitet. Planin Strategjik e kemi ndërtuar në atë mënyrë që Universiteti i Prishtinës të jetë i orientuar nga një Universitet kryesisht teorik, në një Universitet të orientuar kah biznesi, puna dhe industria”, ka thënë Dema.

Ndërsa, z. Krasniqi theksoi rëndësinë e këtij bashkëpunimi ndërmjet ASK-së, si institucion bartës i prodhimit të statistikave zyrtare dhe Universitetit të Prishtinës, si institucion akademik për hulumtime shkencore, analiza e projeksione të ndryshme.

“Kjo Marrëveshje e Mirëkuptimit ka për qëllim institucionalizimin e bashkëpunimit ndërmjet të gjitha fakulteteve të Universitetit të Prishtinës dhe ASK-së, që do të rezultonte në zhvillimin e politikave, zbatimin e projekteve dhe aktiviteteve me interes të përbashkët. Po ashtu, do t’i shërbejë personelit akademik në mundësinë e qasjes në të dhëna të ndryshme statistikore për t’i realizuar aktivitetet e tyre hulumtuese dhe shkencore”, tha ndër të tjera Krasniqi.